Ndërlidhjet

logo-print

A do ta respektojë Gruevski afatin e dorëheqjes?


Nikolla Gruevski

Nikolla Gruevski

Deri nga mesi apo fund i këtij muaji, kryeminstri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski duhet të tërhiqet nga posti i kreut të qeverisë, ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike mes partive për zgjidhjen e krizës në vend.

Në vend të tij duhet të caktohet një kandat tjetër, që po ashtu duhet të jetë nga radhët e partisë së tij, VMRO-DPMNE për të kompletuar kështu qeverinë kalimtare e cila duhet të votohet më së voni deri më 15 janar të vitit të ardhshëm.

Deri më tani janë zgjedhur dy ministra nga radhët e opozitës, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski.

Janë zgjedhur edhe disa zëvëndësministra që do të kenë kompetenca të veçanta, madje edhe të drejtën e vetos ndaj vendimeve të ministrave që ndërlidhen më zgjedhjet e ardhshme.

Kryeministri Gruevski disa herë ka bërë të ditur se do të respektojë afatet e parapara për largimin e tij nga posti.

Si kandidat më serioz për zëvendësimin e tij përmenden, ministri i Financave, Zoran Stavreski, por edhe ai shëndetësisë, Nikolla Todorov dhe i diplomacisë, Nikolla Popovski.

Por, njohësit e çështjeve politike nuk presin që tërheqja e Gruevskit të jetë aq e lehtë.

Alajdin Demiri thotë se ashtu siç është vepruar me zvarritjen e pikave tjera të marrëveshjes, ashtu do të ndodhë edhe me largimin e kryeministrit, Gruevski.

“Sipas të gjitha gjasave, ashtu edhe siç filloi Marrëveshja e Përzhinës të zbatohet me pengesa permanente nga ana e pozitës, të pushtetit Gruevski-Ahmeti, si duket ashtu edhe do të vazhdojë dhe do të përfundojë".

"Kjo për shkakun se Gruevski dhe BDI-ja janë jetësisht të interesuara që kjo marrëveshje sa më dobët apo sa më e lehtë të jetë që të mos realizohet, ashtu siç është e konceptuar. Besoj se edhe tërheqja e kryeministrit Gruevski do të jetë e këtillë“, thotë Demiri.

Mitko Gaxhovski, analist dhe ligјërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se kryeministri Gruevski mund të tërhiqet në momentin e fundit për të mos dështuar tërësisht marrëveshja, por ai shpreh brengosje për mosrealizimin e pikave tjera të marrëveshjes, që po ashtu janë shumë të rëndësishme për procesin e stabilizimit politik të vendit.

“Deri në fund, apo deri tek afatet që janë përcaktuar, disa nga pikat më të mëdha të marrëveshjes, si dorëheqja e kryeministrit Gruvski dhe ndonjë tjetër, ndoshta do të realizohen, por ka shumë pika tjera të rendësishme që duhet të përmbushen, por që ende janë shumë larg realizimit".

"Në këto çështje vlerësoj se mund të ketë zvarritja, e ndoshta edhe mospërmbushje nga ana e partive politike, këtu para se gjithash mendoj te partitë në pushtet“, thotë Gaxhovski.

Partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për përbërjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, çështjen e mediave, miratimin e ndryshimeve ligjore në sferën e administratës.

Çështja më kryesore që është zgjidhur aktualisht është Prokuroria speciale, e cila duhet të hetojë aferën e përgjimeve që edhe ka nxitur krizën politike. Në fakt, edhe dorëheqja e Gruevskit ndërlidhet me këtë aferë për t'i hapur rrugën hetimit të tij, si personi më i përfolur në këtë aferë të përgjimit të bisedave telefonike të zyrtarëve qeveritarë, që dyshohen të jenë të përfshirë në afera të ndryshme kriminale.

XS
SM
MD
LG