Ndërlidhjet

Irak: Militantët e IS-it e shkatërrojnë një urë në Ramadi


Pamje gjatë luftimeve në periferi të Ramadit
Pamje gjatë luftimeve në periferi të Ramadit

Zyrtarët irakianë thonë se militantët e Shtetit Islamik e kanë shkatërruar një konstruksion që ka shërbyer si urë në Ramadi, derisa forcat proqeveritare i janë afruar këtij qyteti, i cili është nën kontroll të militantëve.

Forcat irakiane tashmë kanë depërtuar në disa lagje të Ramadit, që është kryeqytet i provincës Anbar, gjatë pak ditëve të kaluara.

Një gjeneral i ushtrisë së Irakut tha se konstruksioni i shkatërruar ishte ura e fundit e mbetur, që e ka lidhur qendrën e Ramadit me rrugët për në pjesën veriperëndimore.

Sipas tij, shkatërrimi i kësaj ure i ka lënë afro 300 militantë të Shtetit Islamik të bllokuar në qendër të qytetit.

Në muajin maj ky qytet kishte rënë në duar të militantëve.

Me mbështetje të sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, forcat qeveritare më herët këtë javë, e rimorën kontrollin ndaj një kompleksi ushtarak në veri të qytetit dhe një lagje në periferi të tij.

XS
SM
MD
LG