Ndërlidhjet

Së paku 22 të vrarë gjatë tri sulmeve në Siri


Ilustrim

Ilustrim

Së paku 22 civilë janë vrarë gjatë tri sulmeve të ndara vetëvrasëse që kanë ngjarë në verilindje të Sirisë gjatë natës së mbrëmshme.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha se ndonëse fillimisht është raportuar për 12 të vdekur në sulmet që kanë ngjarë në qytetin Tal Tamr në provincën siriane Hasakeh, numri i të vdekurve ka arritur në së paku 22.

Udhëheqësi i këtij mekanizmi mbikqyrës, Rami Abdel Rahman, tha sot se një bombë ka shpërthyer në afërsi të një post-blloku të forcave të sigurisë, ku besohet se ka të vrarë pjesëtarë të këtyre forcave.

Një shpërthim tjetër, sipas tij, ka ngjarë përpara një spitali me ç’rast kanë mbetur të vdekur katër gra dhe një mjek.

Ai tha se dhjetëra persona janë plagosur nga shpërthimet dhe paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të jetë edhe më i madh.

Qyteti Tal Tamar në provincën Hasakeh, kontrollohet nga forcat kurde dhe në vazhdimësi ka qenë shënjestër e militantëve të Shtetit Islamik.

Në shkurt është pushtuar pjesa më e madhe e rajonit Hasakeh, ku janë rrëmbyer së paku 220 sirianë të krishterë.

Por pas rimarrjes së zonës nga forcat kurde, dhjetëra pengje që po mbaheshin nga IS-i, janë liruar muajve të fundit.

XS
SM
MD
LG