Ndërlidhjet

Një vit vendimtar për Iranin


Ilustrim @Shutterstock

Ilustrim @Shutterstock

Negociatat intensive disamuajshe ndërmjet Iranit dhe fuqive madhore botërore kanë dominuar në titujt kryesorë në vitin 2015.

Në vitin 2016 duket se do të shihen shenjat e para se si marrëveshja e arritur do ta përcaktojë të ardhmen e Republikës Islamike.

Dy zgjedhjet madhore në Iran, të planifikuara për 26 shkurt, me gjasë para se sanksionet ekonomike ndërkombëtare të tërhiqen dhe derisa marrëveshja hyn në fuqi diku në gjysmën e parë të vitit 2016, premtojnë se ky do të jetë vit vendimtar në Iran.

Viti 2016, kur do të zgjidhet parlamenti i ri, ka potencial për ta formësuar këtë instutcion të dominuar nga konservatorët dhe të sjellë ndryshime që mund të shihen në nivelin lokal.

Po ashtu, zgjedhjet për Asamblenë e Ekspertëve, mund ta përcaktojnë pasardhësin e liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, që është autoriteti më i lartë në Iran [Republika Islamike].

Ndryshim parlamentar?

Përbërja aktuale parlamentare, që është zgjedhur në vitin 2012, është e dominuar nga konservatorët e linjës së fortë, të cilët i kanë bërë të gjitha, por nuk e kanë lehtësuar punën e presidentit të Iranit, Hassan Rohani, i cili është politikan relativisht i moderuar.

Ai u zgjodh president në vitin 2013 me përkushtimin e tij për reforma ekonomike dhe sociale dhe duke premtuar bashkwpunim me komunitetin ndërkombëtar, për ta mbyllur gjendjen e tensionuar për shkak të programit atomik kontestues të Iranit.

Politikanët e linjës së fortë e kanë kundërshtuar marrëveshjen atomike të arritur nëpërmjet procesit të negociatave dhe i kanë bërë presion lidhur me përpjekjet e tij për t'u dhënë iranianëve më tepër liri sociale dhe kulturore.

Nëse kandidatët proqeveritarë dhe më të moderuar do të fitonin vende në parlament, kjo gjë, së paku në aspektin teorik, do t’i mundësonte presidentit të Republikës Islamike, Hassan Rohani, të vazhdojw me nismat e tij ekonomike dhe do ta poziciononin ashtu që ta fitojw edhe mandatin e dytë presidencial.

Megjithatë, ai do të kundërshtohet nga politikanët e linjës së fortë, që dominojnë në instutcionet kryesore, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe Gardën Islamike Revolucionare.

Alireza Nader është ekspert për Iranin në Rand Corporation. Ai megjithatë konsideron se kampi i Rohanit do të ketë hapësirë për të arritur ndonjë përfitim.

“Ju mund t’i imagjinoni teknokratët burokratikë të ndërlidhur me Rohanin, që do të zgjidhen në parlament, derisa regjimi nuk i sheh ata si tepër kërcënues”, thotë analisti Nader.

Qartas duke e parë një hapje, reformistët, që ishin margjinalizuar prej se periudha e tyre politike përfundoi në vitin 2005, i kanë krijuar dy parti të reja dhe politikisht janë bërë më tepër aktivë.

Por, analisti Nader thotë se kthimi i reformistëve në parlamentin e Iranit nuk do të ndodhë, së paku jo në vitin 2016.

“Ju nuk do të shihni asnjë kandidat reformist ose të rreshtuar me reformistët, që do të jetë në gjendje të hyjë në parlament”, thotë Nader.

Vendimi për liderin suprem

Asambleja e Ekspertëve e ka për detyrë selektimin e liderit suprem të Iranit dhe monitorimin e punës së tij.

Kjo asamble në vitin 2016 mund ta zgjedhë pasardhësin e Ajatollah Ali Khamenei, pasi ai është 76 vjeçar dhe sipas raporteve të pakonfirmuara, në vitin 2014 është trajtuar për sëmundjen e kancerit të prostatës.

Por, analisti Alireza Nader konsideron se përbërja e kësaj asambleje do të jetë sikur ajo e tashme.

“Me gjasë ajo do të jetë një asamble shumë konservatore dhe në favor të Khameneit”, thotë Nader.

Analisti i njohur iranian, Reza Alijani, shprehet se është vështirë të parashihet se çka do të ndodhë.

“Shoqëria iraniane është përplot me befasi”, thotë ai dhe shton se “nëse forcat politike, shoqëria civile dhe qeveria, bëhen aktive, veçanërisht në procesin e verifikimit, atëherë ne mund të shohim ndonjë ndryshim në Asamblenë e Ekspertëve”.

Një kartë e fuqishme potenciale e shton kureshtjen për Asamblenë e Ekspertëve.

Hassan Khomeini, nipi i themeluesit të Repubkiës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini, ka hyrë në politikë, ndërsa shikimi i tij është drejtuar kah Asambleja e Ekspertëve.

Ky person është përshkruar si reformist, i cili beson se qëllimet e Revolucionit Islamik të gjyshit të tij janë keqkuptuar. Raportohet se ai është i afërt me ish-presidentin reformist, Mohammad Khatami, i cili ishte në qeverisje në periudhën 1997 – 2005.

Po ashtu, kandidat është edhe Akbar Hashemi Rafsanjani, figurë politike e qendrës, i cili ishte president në periudhën 1987 -97 dhe ka shërbyer si shef i Asamblesë së Ekspertëve, prej vitit 2007 e deri në vitin 2011.

Pra, duket se të gjitha gjasët janë që viti zgjedhor 2016 do të jetë përplotë me tensione politike.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG