Ndërlidhjet

Maqedoni: Trafikim me migrantë ekonomik


Gjevgjeli
Gjevgjeli

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë bën të ditur se kohëve të fundit gjithnjë e më shumë është evidente dukuria e hyrjes ilegale të migrantëve ekonomik.

“Ne në vazhdimësi jemi të angazhuar me të gjitha kapacitetet tona në teren për të zbuluar dhe parandaluar shfaqjen e kësaj dukurie”, është shprehur shkurt Natalia Spirovska Kordiq nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.

Ndërkohë që autoritetet e Maqedonisë vendimin për kufizim të hyrjes së migrantëve të cilët nuk vijnë nga shtet e përfshira në luftë si Siria, Afganistani dhe Iraku e kanë arsyetuar me vendimin e marrë fillimisht nga ana e Serbisë dhe Kroacisë, se do të kthejnë prapa të gjithë migranët të cilët nuk u përkasin këtyre tre shteteve.

“Nga momenti i miratimit të vendimit për ndalimin e hyrjes së migrantëve ekonomik në Serbi, përkatësisht në vendet e Bashkimit Evropian, në Maqedoni mund të them se kanë ngecur 36 migrantë ekonomik".

"Në bazë të ligjit ata kanë mundësi të kërkojnë azil dhe të qëndrojnë në Republikën e Maqedonisë ose nëse ata shfaqin dëshirë të kthehen nga vendi prej ku kanë ardhur, në atë rast ne u mundësojmë transportin deri në kufirin me Greqinë”, bën të ditur Goran Stojanovski nga Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoni.

Por, aktivistët e organizatave humanitare, thonë se janë dëshmitarë të kalimit ilegal të migrantëve, të cilët autoritetet maqedonase i kanë cilësuar si migrantë ekonomik, pasi vijnë nga vendet ku nuk ka konflikt në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut si Irani, Maroku, Libia, Somalia dhe Bangladeshi.

“Duke pasur parasysh faktin se tanimë është vendosur teli gjemborë përgjatë kufirit Maqedoni Greqi në zonën kufitare të Gjevgjelisë, dhe nga ana tjetër për çdo natë jemi dëshmitarë se disa gupe të migrantëve të ashtuquajtur ekonomik, arrijnë të kalojnë kufirin, dhe të njejtit arrijnë deri në pikën kufitare të Tabanovcit, kjo flet qartë se njerëzit të cilët merren me kontrabandimin e qenieve njerëzore janë aktivizuar dhe të njëjtit veprojnë në teren".

"Njëherësh, migrantët të cilët janë të detyruar të kalojnë kufirin ilegalisht bëhen pre e dhunës dhe vjedhjeve nga grupe të caktuara kriminogjene, pra ky vendim i Qeverisë së Maqedonisë për të ndaluar hyrjen e kësaj kategorie të refugjatëve ka efekt negativ në më shumë dimensione” thekson Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare "Legis".

Organizatat humanitare gjithashtu theksojnë se kushtet në qendrat pranuese janë shumë të vështira, ndërkohë që si më problematike ata theksojnë mungesën e sistemit të ngrohjes si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve të mjaftueshme të përçuesve elektrik për të funksionuar ngrohëset eklektike.

Ndryshe, Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti në vazhdimësi ka theksuar se të gjithë migrantëve duhet tu garantohet mbrojtje ndërkombëtare pavarësisht se nga cili vend vijnë ata, në të kundërtën shkelen të drejtat themelore të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Maqedonisë, si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

XS
SM
MD
LG