Ndërlidhjet

Çdo fundvit, është më se e zakonshme të vlerësohet viti që po lëmë pas, për sukseset apo dështimet e tij.

Partitë politike në pushtet, kuptueshëm vlerësojnë sukseset, kurse ato në opozitë, natyrshëm numërojnë dështimet.

Por, si e shohin qytetarët këtë vit? Çfarë mendojnë ata për sfidat e vitit që po lëmë pas? Fundja, në emrin e tyre thirren vazhdimisht si pushteti, ashtu edhe opozita.

Adhurim Sylejmani, ekonomist me profesion, tingëllon pesimist, në vlerësimet e tij për vitin 2015...

Totalisht i dështuar. Nuk po shihet asnjë sukses as në ekonomi as në zhvillime tjera. Varfëri, papunësi emigrimi I të rinjëve jashtë vendit”.

Ismet Ademi, ndërtimtar me profesion duket më i balansuar në mendimet e tij, numëron sukseset, dhe dështimet.

“Ka qenë e dyanshme. Me thënë mirë, nuk ka qenë mirë, por me thënë keq, as keq nuk ka qenë. Kryetari i komunës mendoj që ka punuar. Opozita [në Kuvend] mendoj se ka bërë veprime jo të mira. Ky është mendimi im. E sa i përket Qeverisë, premtimet nuk i kanë realizuar. Në UNESCO dështuam. Shpresoj që viti 2016 të jetë më i suksesshëm”.

Besian Zeneli, udhëheqës i një librarie në Prishtinë, thotë se vend për ankesa ka mjaft.

“Është tejkaluar cdo gjë. Unë ka shumë kohë që jam larg politikës, larg mediave, sepse veq frustrim, ngarkesë. Çdo lëmi të jetës që e trajton, ke vend për t’u ankuar. Po mundohemi me i dalë zot jetës tonë, vetë me forca tona”.

Milaim Halili tregtar, thotë se suksesi, nuk është dukur shumë gjatë 2015-ës.

“Si dështim e shoh këtë vit. Papunësia, varfëria. Çdo artikull është shtrenjtuar, për 10 për qind. Unë kam një biznes timin dhe çdo gjë është shtrenjtuar. Kam porosi për udhëheqësit tanë, që paratë të mos i hargjojnë nëpër botë, mos të ndërtojnë vetëm asfalte, por të ndërtojnë fabrika të punësojnë njerëz”.

Gjatë një ankete të ngjashme vitin e kaluar, qytetarët e anketuar e pranonin se viti 2015 do të ketë mjaft punë, por gjithashtu e patën nënvizuar se shumica e këtyre punëve do të varej nga mënyra se si politikanët e menaxhojnë vendin.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG