Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshja për demarkacionin mes rishikimit dhe anulimit


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Vetëm anulimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe shkarkimi i komisionit shtetëror do të ishte opsion i pranueshëm, në lidhje me këtë çështje, thonë përfaqësues të opozitës në Kosovë.

Nga tabori opozitar është hedhur poshtë propozimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, për formimin e një komisioni ndërkombëtar për rivlerësim dhe i cili do të merrte për bazë edhe dokumentacionin mbi të cilin është arritur marrëveshja.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë subjekti politik që ka kundërshtuar më ashpër marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi për demarkacionin, me pretendimin se Kosova është dëmtuar në sipërfaqe.

Zëdhënësi i këtij subjekti politik, Muharrem Nitaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ri-modifikim, por anulim të marrëveshjes dhe shkarkim të Komisionit shtetëror për demarkacionin, në mënyrë që procesi të nis nga fillimi.

"Pothuajse i gjithë opinioni publik në Kosovë e ka kuptuar që kjo marrëveshje është katastrofike. Madje së voni e keni parë edhe qëndrimin zyrtar të Podgoricës, ku thuhet se janë të gatshëm që ta shqyrtojnë një marrëveshje që ka probleme. Por, i vetmi njeri, apo e vetmja strukturë që nuk ka reflektuar akoma dhe nuk po e sheh që ka gabuar rëndë është kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi", është shprehur Nitaj.

Në qëndrimin e tij, kryeministri Isa Mustafa ishte shprehur i gatshëm që së bashku me opozitën dhe me vlerësimin e një komisioni ndërkombëtar, marrëveshja e arritur me Malin e Zi të rishikohet.

"Sa i përket demarkacionit ne kemi shprehur qëndrimin tonë që jemi të gatshëm që çdo gjë t'ia lëmë në dorë një komisioni ndërkombëtar i cili do ta vlerësojë rregullsinë e përcaktimit të vijës kufitare dhe ta ketë një vështrim të plotë në lidhje me dokumentacionin i cili është shfrytëzuar për të", ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, Muharem Nitaj thotë se është krijuar një përshtypje e gabueshme sipas të cilës, opozita dëshiron që të jetë pjesë e komisionit për demarkacion.

Me rëndësi, sipas tij, është që komisioni të jetë profesional dhe të mos e përsërisë gabimin e komisionit aktual.

"Nuk ka fare rëndësi. Në komision mund të jenë të gjithë nga partitë politike që janë aktualisht në pushtet, pra edhe pa opozitën, vetëm se ata duhet të jenë të besueshëm, që e njohin materien, që i njohin dokumentet dhe që nuk rrëshqasin me përsëritjen e gabimit. Sidoqoftë, nëse Qeveria e Kosovës mendon që edhe opozita dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të kenë rol në këtë komision, ne jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë", ka thënë Nitaj.

Po në lidhje me kundërthëniet që janë krijuar në Kosovë rreth marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin, ka reaguar edhe Podgorica zyrtare.

Qeveria e Malit të Zi thotë se me Marrëveshjen për demarkacionin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi janë “zyrtarizuar kufijtë administrativë në harmoni me Kushtetutën e ish-Jugosllavisë së vitit 1974”.

Megjithatë, Qeveria e Malit të Zi shprehet e gatshme për rishqyrtimin e marrëveshjes, nëse ka dyshime të bazuara për gabime.

Marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin dhe ajo me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, jo vetëm që po kundërshtohen ashpër nga opozita, por edhe po kërkohet nga qeveria që të anulohen, duke i vlerësuar ato në dëm të tërësisë territoriale dhe funksionimit të shtetit.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG