Ndërlidhjet

Maqedoni: Për 6 vjet, 16 gra humbin jetën si pasojë e dhunës në familje


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se janë alarmante të dhënat e hulumtimeve të realizuara nga sektori civil për viktimat e dhunës. Sipas këtyre të dhënave, çdo e treta grua në Maqedoni është viktimë e dhunës, qoftë ku bëhet fjalë për dhunën fizike, qoftë për atë psikike.

Xhane Kreshova nga Forumi i Gruas në Tetovë konsideron se dhuna ndaj grave duhet trajtuar si çështje që kërkon seriozitet të theksuar, sepse siç nënvizon zonja Kreshova, pavarësisht një morie ligjesh, të miratuara që garantojnë drejtësinë sociale për gratë, shumë nga to ende janë viktimë e dhunës familjare apo seksuale.

“Edhe pse në Maqedoni janë miratuar një mori ligjesh për mbrojtjen e të drejtave të grave, madje Qeveria ka miratuar programe të ndryshme - të gjitha këto nuk mjaftojnë ose do të thosha nuk janë aq sa duhet efektive, sepse të njëjtat nuk funksionojnë në praktikë. Ne, si OJQ që merremi me problematikën e dhunës, vite me radhë organizojmë tribuna të ndryshme me qytetarët në shumë qytete. Por, kjo nuk mjafton, sepse duhet një strategji gjithëpërfshirëse e të gjitha organeve kompetente të shtetit për t`u luftuar me sukses kjo dukuri”.

“Dhuna ndaj grave në Maqedoni është e pranishme 37.7 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës së gjinisë femërore në Maqedoni. Kjo do të thotë se çdo e treta grua është viktimë e dhunës, qoftë ajo fizike, psikike, seksuale ose ekonomike dhe këto të dhëna tregojnë për atë se sa madhor është ky problem”, thekson ajo.

Organizatat joqeveritare në Maqedoni theksojnë se shumica e grave në Maqedoni, edhe në rastet kur ballafaqohen me dhunën dhe kanë mundësi ta denoncojnë, ato hezitojnë ta bëjnë një gjë të tillë se janë të frikësuara se nga rrethi shoqëror do të trajtohen jo si viktimë, po si femra që kanë dështuar në organizimin e familjes. Kjo bën që ato rrallëherë të marrin hapa ligjor kundër abuzuesve të tyre.

Elena Dimshovska nga rrjeti i organizatave për të drejtat e grave, thekson se problemi kryesor qëndron në sigurimin e provave, sepse në të shumtën e rasteve dhuna në familja ndodh pas dyerve të mbyllura.

“Në nivel të shtetit, ka vetëm qendra nën ingerencat e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, të cilat kanë kapacitet për të strehuar jo më shumë se 30 gra njëkohësisht. Ato zakonisht kërkojnë ndihmë bashkë me fëmijët e tyre, në këtë rast çka mund të themi më shumë ku ajo primarja nuk mund të sigurohet, përkatësisht që ata të mund të qëndrojnë larg atyre që kanë ushtruar dhunë”, thekson Dimshovska.

Si çështje shumë problematike, Kreshova fokuson mungesën e infrastrukturës sociale, veçanërisht në zonat rurale gjë që i bën gratë më të pambrojtura dhe njëkohësisht më të ekspozuara ndaj dhunës.

E para, sipas saj, është dhe mungesa e sigurisë materiale dhe mentalitetit shoqëror që favorizon gjininë mashkullore.

“Këtu kemi të bëjmë dhe me varshmërinë ekonomike të gruas ndaj burrit, meqë s’ka ku të shkojë. Pasi të denoncojë dhunën sërish duhet të kthehet te dhunuesi. Për këtë arsye, shumica e grave detyrohen të durojnë dhunën dhe të mos e denoncojnë".

"Dhuna nuk luftohet nëse mendon ‘hë për hë’ pra vetëm sot, por duhet të hartohen programe, fëmijët që nga moshat më të hershme të shkollimit të tyre t’i mësojmë për barazinë gjinore dhe të edukohen në frymën e barazisë me gratë, gjë që mungon në sistemin tonë edukativ- arsimor”, shpjegon Kreshova.

Organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë të drejtat e grave thonë se ndërgjegjësimi i shoqërisë sa i përket dhunës në familje, është shumë i ulët, dhe kjo gjë, për fat të keq, bën që gishti i fajit nga pjesa më e madhe e shoqërisë akoma të drejtohet kah gruaja dhe jo nga pala që ka ushtruar dhunë.

E, të dhënat flasin se gjatë gjashtë viteve të fundit kanë humbur jetën 16 gra si rezultat i dhunës së ushtruar nga të afërmit e tyre.

XS
SM
MD
LG