Ndërlidhjet

MPB-ja paralajmëron hetime të reja për aksionin në Kumanovë


Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm i Maqedonisë
Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm i Maqedonisë

Ministri i ri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, premton hetimin e plotë të skandaleve që kanë tronditur Maqedoninë, para së gjithash, atë që njihet si aferë e përgjimeve dhe aksionin policor në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, që la të vdekur 19 persona, 10 policë dhe 9 anëtarë të një grupit të armatosur që prezantohet si Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

“Lidhur me ngjarjet në Kumanovë, ku ndodhi një tragjedi e madhe për Maqedoninë, pasi humbën jetën pjesëtarë të MPB-së, gjithsesi se jemi duke bërë përpjekje dhe hetime për sigurimin e informatave për të zbardhur deri në fund këtë rast, që të konfirmojmë apo përgënjeshtrojmë spekulimet që janë përhapur në opinion”, deklaron Spasovski, duke aluduar në njoftimet dhe vlerësimet e opozitës se rasti ka qenë i orkestruar.

Opozita në Maqedoni ka thënë se e gjithë ngjarja në Kumanovë ishte i orkestruar nga struktura të caktuara të pushtetit për të tërhequr vëmendjen nga aferat, me të cilat është përballuar, para së gjithash me bisedat e përgjuara telefonike, pasi incidenti i armatosur në Kumanovë ndodhi një muaj pasi opozita kishte nisur me publikimin e këtyre bisedave.

Bisedat, sipas opozitës, “dëshmojnë përfshirjen e Qeverisë në veprimtari të shumta kriminale, si në falsifikimin e zgjedhjeve, ndërhyrjen në gjyqësor, në media, në biznese, kërcënime dhe likuidime të kundërshtarëve politik”.

Kreu i MPB-së thotë se dikasteri që ai drejton, është duke hetuar edhe rastin e Smillkovcës, apo vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, në prill të vitit 2012, pranë një liqeni në Shkup, ngjarje kjo që kishte tronditur opinionin në Maqedoni dhe më gjerë.

“Sa i përket rastit ‘Monstra’, gjithsesi se materialet që i posedon apo që i ka paralajmëruar lideri i opozitës, ne po i shqyrtojmë, ato do të jenë objekt hetimi edhe i prokurores speciale dhe ndihma apo bashkëpunimi mes nesh do të ekzistojë për këtë rast, në mënyrë që e vërteta të dalë në sipërfaqe”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri Spasovski.

Nga opozita disa herë kanë deklaruar se shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm për këtë rast, janë të pafajshëm pasi ekzekutorët kryesorë të kësaj vepre makabre, sipas LSDM-së, ndodhen në liri.

Prioritet kryesor i MPB-së, ndërkohë mbeten edhe zgjedhjet e ardhshme, por që ato të jenë të lira dhe demokratike, duhet të zbatohen të gjitha pikat e Marrëveshjes politike, si ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përbërja e re e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, çështja e medieve e kritere tjera.

Prioritet kryesor duhet të jetë realizimi i Marrëveshjes së Përzhinës. Mua, vërtet, më brengos mungesa e vullnetit te parti të caktuara për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në afatet e përcaktuara dhe kjo tregon se interesat partiake po vendosen mbi ato shtetërore apo kombëtare. Ky është vërtet problem serioz, por pavarësisht këtij fakti, ne duhet ta kemi të qartë se duhet të organizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike”, deklaron Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm, por paraprakisht duhet të formohet qeveria kalimtare.

Afati për votimin e saj është deri më 15 janar.

Deri më tani, në bazë të marrëveshjes politike, janë zgjedhur dy ministrat nga radhët e opozitës, përfshirë edhe Oliver Spasovskin, për Ministër të Punëve të Brendshme.

Në bazë të marrëveshjes, kryeministrit Nikolla Gruevski duhet të dorëhiqet deri në fundi i këtij muaji.

XS
SM
MD
LG