Ndërlidhjet

Hapja e kapitujve të rëndësishëm për Serbinë


Johannes Hahn dhe Vucic

Johannes Hahn dhe Vucic

Me hapjen e kapitujve të parë në bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kapitujt 35 dhe 32, të hënën në Bruksel, Serbia hyn në një fazë mjaft të rëndësishme në procesin e integrimeve evropiane.

Kapitulli 35 ka të bëjë me marrëdhëniet me Kosovën, si dhe Kapitulli 32, ka të bëjë me kontrollin financiar.

Hapjen e kapitujve për bisedime me Serbinë, e ka konfirmuar shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Sot i kemi dy hapa të rëndësishëm, hapjen e kapitujve me Serbinë dhe Turqinë”, theksuar Mogherini.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë Evropian dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn, ka theksuar se është në interesin e Evropës që Serbia të jetë mirë, ndërkohë që, sipas tij, me hapjen e kapitujve të parë në bisedimet me Bashkimin Evropian, Serbia bëhet më stabile, më tërheqëse për investuesit dhe është më afër që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Ai gjithashtu ka folur edhe për situatën aktuale në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mundësinë e ndikimit të saj në bisedimet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Ne nuk presim zgjidhje përfundimtare në disa muajt e ardhshëm, por është e rëndësishme që dialogu të vazhdojë dhe të mbetet gjallë”, ka theksuar Hahn.

Hapjen e kapitujve 35 dhe 32 për Serbinë, në bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e ka vlerësuar si moment mjaft të rëndësishëm, ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Aselborn..

“Është mjaft e rëndësishme dhe ju do të shihni se do të ketë një fillim. Secili kapitull është më i rëndësishëm se tjetri. Kapitulli 32 ka të bëjë me kontrollin financiar, ndërkaq Kapitulli 35 ka të bëjë me Prishtinën”, ka thënë Aselborn.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se vendi është i gatshëm të hyj në bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Serbia është e gatshme që bisedimet për anëtarësim në BE, t’i përfundojë në afatin më të shkurtë të mundshëm”, ka thënë Vuçiq, i cili po e udhëheqë delegacionin serb në Konferencën ndërqeveritare.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se Kapitulli 35, i cili i është dedikuar marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, do të jetë i vështirë dhe do të zgjasë deri në fund të procesit të aderimit të Serbisë në BE.

Lidhur me hapjen e kapitujve të parë për Serbinë në bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, reagimet kanë nisur ditë më parë.

Maja Bobiq nga Lëvizja Evropiane në Serbi, ka theksuar se është mjaft e rëndësishme për Serbinë që të nis procesi i bisedimeve për anëtarësim në BE.

Sipas saj, pas hapjes së kapitujve të parë, 35 dhe 32, nuk do të pritet gjatë për hapjen e dy kapitujve tjerë, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me lirinë e shprehjes.

“Në qoftë se nuk do të ketë obstruksione serioze në Kapitullin 35, që ka të bëj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nuk do të duhej të kishte pasiguri që edhe këta dy kapituj të hapen së shpejti".

"Pra, vetëm nëse vjen deri te një ngecje serioze, qoftë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, qoftë në zbatimin e marrëveshjeve, dhe për këtë ngecje të vërtetohet përgjegjësia e Serbisë, ndryshe, është e mundur që dy kapitujt tjerë të hapen”, ka theksuar Bobiq.

Hapja e kapitujve 35 dhe 32, për Serbinë nënkuptojnë fillimin e një procesi që do të zgjasë disa vite, në kuadër të së cilit disa mijëra ligje dhe rregullore, dalë nga dalë do të harmonizohen me standardet evropiane.

Në fund të procesit, Serbia do ta marrë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, gjë që pritet t’i sjellë asaj përparim ekonomik dhe stabilitet.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG