Ndërlidhjet

logo-print

SHBA-ja kërkon nga OKB-ja të veprojë kundër Iranit

  • RFE /RL

Foto e shpërndarë nga raketa e lansuar më 11 tetor, 2015

Foto e shpërndarë nga raketa e lansuar më 11 tetor, 2015

Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion për aksion kundër Iranit, pasi një raport i Kombeve të Bashkuara ka gjetur se Teherani i ka shkelur sanksionet e OKB-së ndaj provave të raketave atomike.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, tha se Washingtoni do të bëjë presion për zbatim të aksionit.

Ambasadorja Power, së bashku me përfaqësuesit nga Britania, Franca dhe Gjermania, kishte kërkuar raport për Iranin nga Kombet e Bashkuara, lidhur me testin raketor iranian më 10 tetor.

Samantha Power, foto arkivi

Samantha Power, foto arkivi

“Ky këshill nuk mund të lejoj që Irani të ndjej se mund t’i shkel rezolutat tona dhe të mos ndëshkohet”, tha ajo në Këshillin e Sigurimit, vonë më 15 dhjetor, gjatë shqyrtimit të raportit të hartuar nga Komiteti i Sanksioneve për Iranin.

Samantha Power i ka akuzuar anëtarët e Këshillit, të cilët ajo nuk i ka identifikuar, për refuzim të ndërmarrjes së aksionit kundër Iranit, përkundër dëshmisë për shkelje të disa sanksioneve, prej se Teherani e ka nënshkruar marrëveshjen madhore për ndaljen e zhvillimit të programit për armatim atomik në muajin korrik.

“Në vend të një përgjigjeje efektive dhe me kohë, Këshilli i Sigurimit nuk ishte i vendosur”, tha Power, duke u shprehur për rëndësinë e zbatimit të sanksioneve për “marrëveshje atomike kredibile dhe të detyrueshme”.

Teherani insiston se raketat nuk janë të parapara për bartjen e kokave atomike dhe rrjedhimisht, testimet nuk paraqesin shkelje të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Por, Komiteti i sanksioneve i OKB-së ka gjetur se raketa e lansuar në muajin tetor ishte e aftë për bartjen e armatimit bërthamor. Raporti thotë se raketa kishte rreze të veprimit së paku një mijë kilometra dhe mundësi ngarkese prej 500 kilogramësh, që paraqet kapacitet të mjaftueshëm për bartje të armatimit për shkatërrim në masë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se presidenti amerikan, Barack Obama, do t’i mbështeste sanksionet e reja në përgjigje të testit nga muaji tetor, vetëm nëse zyrtarët e inteligjencës konkludojnë se ato do të paraqesin përfitim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Matthew Rycroft, u tha gazetarëve, vonë më 15 dhjetor, se është “absolutisht e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit t’i respektojë përgjegjësitë e veta dhe të përgjigjet në mënyrë efektive për atë që duket se ishte shkelje”.

Por, Rusia dhe Kina, që nuk pëlqejnë sanksionet kundër programit raketor të Iranit, mund ta bllokojnë ndonjë lëvizje në këtë aspekt, thonë diplomatët.

Republikanët në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, të cilët nuk janë të kënaqur me marrëveshjen atomike me Iranin, e kanë shfrytëzuar raportin e Kombeve të Bashkuara si bazë për sanksione të mundshme shtesë në Kongres.

Madje, edhe disa demokratë e kanë mbështetur aksionin e njëanshëm të Shteteve të Bashkuara për shkelje të sanksioneve për testet raketore.

Senatori demokrat, Chris Coons, i tha agjencisë Reuters se i takon Këshillit të Sigurimit për të vepruar. Por, nëse OKB nuk vepron, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin aksion, përfshirë imponimin e sanksioneve të njëanshme kundër iranianëve, që janë përgjejgës për provat raketore, tha ai.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG