Ndërlidhjet

Thaçi: Me të drejtë, çdo qytetar i Kosovës mund të ndihet i fyer nga BE-ja


Hashim Thaçi, foto arkivi
Hashim Thaçi, foto arkivi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar sot se dokumenti i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, nuk është dokumenti përfundimtar në bazë të të cilit vendoset për liberalizimin e vizave.

“Më kanë njoftuar se dokumenti i cili është dhënë dje, nuk është dokument që vlerëson çështjet e liberalizimit të vizave. Është dokument i cili është i lidhur me zgjerimin dhe se vlerësimi lidhur me plotësimin e kushteve për liberalizim, do të jepet në ditët në vijim. Po ashtu i kam shprehur edhe shqetësimet dhe brengosjen tonë lidhur me vonimin e këtij procesi”, ka thënë Mustafa, në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Zëvendës kryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër edhe sot, duke i quajtur të pakuptimta vonesat e BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016.

Ai ka theksuar se çdo qytetar i Kosovës, nëse nuk ndodhë rekomandimi këto ditë për liberalizimin e vizave, “me të drejtë duhet të ndjehet jo i zhgënjyer, por i fyer”.

“Me të drejtë, krejt skena politike, qytetarët, shoqëria civile, mediet, mund të protestojnë kësaj radhe para selisë së Zyrës së Bashkimit të Bashkimit Evropian - dy milionë qytetarë të Kosovës - për padrejtësitë dhe diskriminimin nga Bashkimi Evropian në raport me liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se kësaj radhe nuk është faji i Kosovës nëse nuk merr rekomandimin për liberalizim të vizave, sepse “ne në tërësi, me përgjegjësinë më të lartë e themi, se i kemi implementuar të gjitha kriteret, një nga një”.

Këshilli i Bashkimit Evropian ka bërë publike të martën pakon e Zgjerimit dhe të Stabilizim Asociimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në pako, Këshilli nuk e ka dhënë rekomandimin e shumëpritur nga autoritetet e Kosovës, për liberalizimin e vizave në zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016.

XS
SM
MD
LG