Ndërlidhjet

Raporti përfundimtar për liberalizim vizash s'është publikuar ende

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel nuk kanë dashur sot zyrtarisht të komentojnë kritikat që vijnë nga përfaqësues të lartë të Kosovës lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016.

Zyrtarë të BE-së i kanë quajtur këto si “debate të brendshme në Kosovë” dhe kanë rikujtuar se raporti i Komisionit Evropian për përparimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve nga udhërrëfyesi i vizave, ende nuk është miratuar dhe as publikuar.

Në Komisionin Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka ende një datë të prerë për publikimin e këtij raporti, por jozyrtarisht përmendet mundësia që ai të publikohet javën e ardhshme.

Sa i përket përmbajtjes së raportit që do të publikojë Komisioni sot nuk kanë dashur të paragjykojnë në BE. Por jozytrarisht u tha se raporti do të jetë pozitiv, do të konfirmojë se "Kosova ka përmbushur një numër të madh të kritereve dhe do të përmendë edhe disa kritere që ende duhet të punohet për tu përmbushur".

“Kosova është në mënyrë të arsyeshme afër përmbushjes se shumicës së kritereve nga udhërrëfyesi, por kanë mbetur disa fusha të hapura, posaçërisht në dhënien e verdikteve finale të dënimeve për rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në një përgjigje të Komisionit Evropian.

Poashtu në BE kanë sqaruar se në takimin e djeshëm të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, në nivel ministrash, është folur për paketën e përgjithshme të zgjerimit, e jo për liberalizim vizash në veçanti.

Mosdhënia e rekomandimit për liberalizim vizash për Kosovën ka nxitur reagime të ashpra në Prishtinë, zyrtarët e së cilës këtë veprim nga BE-ja e kanë cilësuar si të qëllimshëm.

Çështja e liberalizimit të vizave, sipas zyrtarëve në BE, kur të arrin në Këshill, me propozim të Komisionit, do të trajtohet nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, e jo nga ai i Punëve të Jashtme apo i Çështjeve të Përgjithshme.

Në konkluzat e miratuara dje për paketën e zgjerimit, ku përfshihet edhe Kosova, vëtëm është përmendur liberalizimi i vizave si proces, por nuk është marrë ndonjë vendim.

Pos për Kosovën, Komisioni Evropian pritet që së shpejti të publikojë raportet për liberalizimin e vizave edhe për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Këto raporte ishin paralajmëruar se do të publikoheshin të martën, por u shtynë për pas përfundimit të takimit të Këshillit Evropian që në Bruksel zhvillohet të enjten dhe të premten e kësaj jave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG