Ndërlidhjet

Analistët: Kosova po e lëkund partneritetin me faktorin ndërkombëtar


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Krizat e vazhdueshme politike në Kosovë po e vënë në luhatje diskursin politik të Uashingtonit, Londrës dhe Berlinit në raport me Kosovën, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, klasa politike në Kosovë, po krijon kriza për interesa të ngushta, por të cilat tani po e godasin partneritetin që ka Kosova me vendet që e mbështetën atë në rrugën e shtet-ndërtimit.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, vlerëson se dinamika e shtet-ndërtimit, konsolidimit dhe funksionimit të institucioneve, mbeten çështjet kryesore që i shqetësojnë vendet mike të Kosovës.

Sipas tij, jo vetëm kriza, por edhe shkalla e lartë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë bërë tashmë pjesë e retorikës kur flitet për Kosovën në qarqet ndërkombëtare, çka edhe po i zhgënjen çdo ditë e më tepër vendet që e kanë mbështetur pavarësimin e Kosovës.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania në një masë të madhe zhgënjehen me institucionet kur flitet për stabilitetin politik e institucional, si dhe me ndërtimin, konsolidimin e shtetit, përkatësisht me luftën kundër korrupsionit dhe krimit, që është bërë tashmë gjuhë e përditshme e diplomatëve".

"Kosova, Shqipëria e Maqedonia, mbeten vendet më fragjile [të brishta] në Ballkan, më të korruptuarat dhe kjo është bërë brengë serioze", është shprehur Rashiti.

Ndërkohë, analisti Ilir Ibrahimi mendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të konsiderohen si partneri më i rëndësishëm dhe promotori më i madh i shtetësisë së Kosovës.

Ky partneritet, sipas tij, nuk do të duhej të vihej në pikëpyetje nga askush, ndonëse kohët e fundit, edhe ai vëren se ka luhatje.

"Kriza e fundit politike pa dyshim që i ka vënë një dridhje këtij partneriteti, sepse duke pasur parasysh edhe deklarimet e ambasadorit amerikan këtu në Kosovë dhe sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, i cili ishte këtu para dy javësh, partitë politike, sidomos ato të opozitës, megjithatë nuk i morën ato mesazhe dhe nuk po i përgjigjen asaj kërkese që e bëri sekretari Kerry dhe kjo pa dyshim që vë nën pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara", ka theksuar Ibrahimi.

Krizat politike në Kosovë, sipas Ilir Ibrahimit, po krijohen nga vetë partitë politike, qofshin ato në pushtet apo opozitë. Këto parti politike, ka nënvizuar ai, në radhë të parë po angazhohen për pushtet më të madh, duke lënë anash mbrojtjen e interesit madhor të shtetit dhe shoqërisë.

"Opozita këtu ka luajtur një rol më destruktiv, mirëpo nuk mund të themi që edhe partitë në pushtet kanë qenë të hapura për një dialog të mirëfilltë dhe ta bëjnë opozitën partnere për çështje madhore të vendit, qoftë për demarkacionin, Asociacionin apo edhe liberalizimin e vizave, që e prekin interesin e të gjithë qytetarëve".

"Pushteti pa marrë parasysh se sa vota ka apo sa numra ka në Kuvend, duhet të konsultohet me të gjithë shoqërinë kur është në pyetje interesi madhor shtetëror", ka thënë Ibrahimi

Një dështim tjetër i politikës së Kosovës, sipas analistit Naim Rashiti, ka të bëjë edhe me dialogun me Beogradin.

Ndonëse këtu, ai fajëson edhe Bashkimin Evropian si ndërmjetësues të dialogut, megjithatë, e sheh si fajtore edhe Prishtinën për mungesën e zotësisë për zbatimin e obligimeve që ka marrë.

"Dështimi i Kosovës, kriza institucionale e vitit 2014, vonesat në dialog, ndonëse edhe me fajin e Brukselit, kanë ndikuar që Gjermania dhe Britania e Madhe të heqin dorë nga kushtet fillestare në raport me Serbinë. Tani Serbia po i fillon negociatat për anëtarësim, po i hap kapitujt pa zbatuar marrëveshjen e parë", ka thënë Rashiti.

Pas përsëritjes së skenave të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie ishte shprehur i zhgënjyer me faktin që përfaqësuesit politik të Kosovës nuk po i dëgjojnë thirrjet e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry se dhuna nuk ka vend në institucionin më të lartë ligjvënës.

Diplomatët ndërkombëtar kanë rikujtuar në shumë raste se vetë deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte një akt i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane, të cilat ndihmuan Kosovën, qoftë në shtet-ndërtim apo edhe në investime dhe rimëkëmbje ekonomike.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG