Ndërlidhjet

Marine Le Pen shpërdoron fotografinë e gazetarit të vrarë


Marine Le Pen, foto arkivi

Marine Le Pen, foto arkivi

Liderja e së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen, të enjten ka hequr nga profili i saj në Twitter fotografinë e gazetarit amerikan të vrarë, James Foley, pas kundërshtimeve që kanë ardhur nga vetë familja e zotit Foley. Foley është vrarë nga militantë të Shtetit Islamik.

Le Pen megjithatë nuk ka hequr nga profili i saj dy pamje grafike të dhunës së ushtruar nga ekstremistët e grupit militant Shteti Islamik.

Autoritetet franceze janë duke hetuar postimet që zonja Le Pen i ka bërë si kundërpërgjigje ndaj një gazetari, i cili ka bërë analoginë ndërmjet partisë së saj anti-migracion, Fronti Kombëtar, dhe IS-it.

Le Pen është përpjekur të tregojë dallimin duke postuar fotografi të IS-it, por postimet e saj kanë nxitur një valë reagimesh të ashpra, e ministri i brendshëm francez e ka akuzuar atë për shpërndarje të propagandës së Shtetit Islamik.

E ëma e gazetarit Foley, Diane, tha se postimet e Marine Le Pen “kanë shtuar dhimbjen që ndjen familja”.

Familja Foley me këtë rast ka publikuar një deklaratë, në të cilën thuhet: “Jemi thellësisht të shqetësuar nga përdorimi i paautorizuar i fotografive të Jamesit për qëllime politike të Le Pen dhe dyam që fotot të hiqen menjëherë”.

Foley ishte rrëmbyer nga militantët më 2012, kurse është ekzekutuar me heqje koke në vitin 2014.

XS
SM
MD
LG