Ndërlidhjet

Burimet e “fshehura” të financimit të partive politike


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë ekziston një grup i donatorëve të cilët financojnë gati secilën parti politike, e të cilët më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publik nga partia e cila fiton pushtetin, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile në vend.

Gjatë një debati të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temën “Burimet e fshehura të financimit të partive politike”, është theksuar se këto të fundit nuk janë treguar transparente, kur është në pyetje mënyra e financimit të tyre.

Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka theksuar se partitë politike do të duhej të informonin publikun për mënyrën e financimit të tyre.

“Bizneset në një formë fatkeqësisht janë orientuar në financimin e partive politike, dhe kush do që vije në pushtet atëherë ata kërkojnë që ky investim i tyre të kthehet nëpërmes tenderëve”, ka shtuar Doli.

Në anën tjetër, Arton Demhasaj nga Organizata "Çohu", ka treguar se në bazë të një studimi të bërë kanë evidentuar se janë bizneset apo individët që financojnë partitë politike, e të cilët më pas shpërblehen me tenderë publik.

“Në një hulumtim që organizata "Çohu" dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese ‘Preportr’, ka rezultuar se prej vitit 2007 deri në vitin 2014 financuesit e partive politike kanë marrë 4421 tenderë ku kanë përfituar përafërsisht 220 milionë euro përmes procesit të tenderimit publik”, ka treguar Demhasaj.

Financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian.

Aty thuhet se transparenca e financimit të partive politike paraqet një komponentë esenciale të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka treguar se për tre vite radhazi partitë politike në Kosovë nuk kanë pasur auditim, kjo për arsye se Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovë ka dështuar të zgjedhë grupet e auditorëve që do të bëjnë auditimin e këtyre partive politike.

“Qe tri vite pikërisht deputetët që janë anëtarë të këtij Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike, qëllimisht, se nuk ka arsye tjetër, nuk kanë qenë në gjendje të hapin një konkurs dhe kanë lejuar që dy konkurset e mëparshme që janë hapur për selektimin e auditorëve, që do të auditojnë raportet financiare të partive politike kanë dështuar".

"Pra, është çështje e vullnetit të tyre të munguar dhe është çështje e përgjegjësisë së tyre të drejtpërdrejtë”, thekson Doli.

Sipas Ligjit për Financimin e Partive Politike, subjekti politik i cili pranon një kontribut, origjinën dhe prejardhjen e të cilit, kontribut-dhënësi, nuk mund ta dëshmojë, detyrohet që brenda dy javëve, t’i njoftojë organet kompetente për vërtetimin e prejardhjes së këtij kontributi.

XS
SM
MD
LG