Ndërlidhjet

Cameron nuk e ndalon veprimtarinë e Vëllazërisë Myslimane


David Cameron

David Cameron

Kryeministri britanik, David Cameron, ka hedhur poshtë mundësinë të enjten që të ndalojë aktivitetet e Vëllazërisë Myslimane, ndonëse tha se grupi “ka një marrëdhënie të mjegullt me ekstremizmin e dhunshëm”.

Anëtarësimi apo lidhja me këtë organizatë islamiste, e cila është e ndaluar në Egjipt dhe e cila selinë e ka në Londër, “duhet të konsiderohet si indikator i ekstremizmit”, ka thënë Cameron, në një deklaratë me shkrim, në të cilën ishin përfshirë gjetjet kryesore mbi aktivitetet e Vëllazërisë Myslimane.

Britania është nën trysninë e Egjiptit dhe Arabisë Saudite për ta ndaluar me ligj Vëllazërinë Myslimane, kurse ministrat e kabinetit qeveritar të zotit Cameron janë akuzuar se kanë zvarritur qëllimisht publikimin e gjetjeve të raportit për të “mos shqetësuar aleatët në Lindjen e Mesme”.

Egjipti e ka shpallur të paligjshme këtë organizatë, qëkur lideri i saj, Mohammed Morsi, u rrëzua nga pushteti në vitin 2013, nga ushtria egjiptase.

Mijëra mbëhtetës të kësaj organizate në Egjipt janë arrestuar dhe qindra të tjerë janë dënuar me vdekje.

Përfaqësues ligjor të Vëllazërisë Myslimane kanë hedhur poshtë raportin e hartuar nga qeveria britanike, duke thënë se nuk e kanë pasur rastin të përgjigjen në kriticizmin e bërë, për lidhjet e mundshme me ekstremizmin e dhunshëm.

XS
SM
MD
LG