Ndërlidhjet

Si ndikon rritja e shkallës së interesit në SHBA në ekonomitë e tjera?


Ilustrim

Ilustrim

Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara (e njohur me shkurtesën FED) e kanë rritur shkallën e interesit për të parën herë pas 7 vitesh. Si rezultat i kësaj rritjeje, dollari amerikan po forcohet, por ekziston një përzierje e efekteve të mira dhe të këqia që i sjell ky zhvillim në ekonomitë e tjera të botës.

Rritja e shkallës së interesit nga FED-i, që praktikisht është Bankë Qendrore e Shteteve të Bashkuara, e ka përfunduar një periudhë të gjatë, në të cilën shkalla e interesit është mbajtur në nivelin prej 0 e deri në 0.25%. Ky hap ishte ndërmarrë për ta luftuar recesionin, duke e bërë shumë të lirë marrjen e huave për bizneset dhe konsumatorët amerikanë dhe rrjedhimisht, duke ndikuar në rritjen ekonomike.

Tash FED-i e ka shtuar shkallën e interesit prej 0.25 në 0.5%.

Ky është sinjal se ekonomia amerikane është përsëri në gjendje të shëndoshë dhe kjo politikë më e ashpër monetare, që e shtrenjton marrjen e huazimeve, synon mbajtjen e marrjes së kredive konsumuese nën nivelet që mund të shkaktojnë inflacion.

Por, si ndikon kjo lëvizuje në pjesët e tjera të botës?

Dollari më i fortë – problem për disa vende

Rritja e shkallës së interesit nuk do të thotë se vetëm bankat arkëtojnë më tepër para për kredi. Po ashtu, nënkupton se bankat amerikane do të paguajnë shkallë më të madhe të interesit për ata që u huazojnë para bankave, siç janë për shembull investitorët. Flet-obligimet e qeverisë amerikane, po ashtu, do të paguajnë shkallë më të lartë të interesit për ata që i blejnë ato.

Gjasët për të fituar nga kjo rritje mund të jenë atraktive për investitorët e jashtëm në tregjet financiare të Shteteve të Bashkuara. Dollari amerikan ka bërë rritje modeste kundër euros dhe jenit japonez, pas vendimit të FED-it, megjithqë kjo lëvizje është pritur një kohë të gjatë.

Por, gjatë periudhës së ardhshme pritet rritje e mëtejshme e shkallës së interesit, kështu që dollari e ndjen presionin në rritjen e tij.

Por, dollari i fuqishëm, është lajm i keq për vendet që kanë nivel të lartë të borxheve në dollarë.

Shumë analistë thonë se hapi modest i ndërmarrë më 16 dhjetor nga FED-i, sinjalizon një ritëm të ngadalshëm të rritjes së shkallës së interesit në të ardhmen.

Në këtë kuadër, eksperti, William Jackson, nga Capital Economics me seli në Londër, thotë se “jo vetëm që shkalla e rritjes ishte relativisht e vogël, por FEDI-i është përpjekur të theksojë se rritja në shkallën e interesit gjatë viteve të ardhshme, do të jetë graduale, duke sugjeruar se ne nuk do të shohim ashpërsim agresiv dhe ne nuk do të shohim rritje të shpejtë në çmimin e huazimit”.

Rritja e dollarit – problem për vendet eksporuese

Çfarëdo rritje e dollarit është veçanërisht alarmuese për vendet që eksportojnë mallra. Këto vende, aktualisht po ballafaqohen me vështirësi ekonomike nga rënia globale e çmimeve, duke filluar nga nafta e deri te metalet dhe gjërat ushqimore, për shkak të sasisë së tepërt në tregjet botërore.

Tash ato duhet të paguajnë më tepër për blerjen e dollarëve, bile edhe nëse të ardhurat nga eksportet e tyre kanë rënë.

Çmimet më të larta të importit

Derisa dollari rritet, konsumatorët do të paguajnë më tepër në vendet e tyre me monedhën vendëse , për artikujt e importuar dhe për prodhimet vendëse, që shfrytëzojnë materiale të importuara.

Përsëri, disa prej vendeve, që janë goditur më së tepërmi, janë ato që ekonomitë e eksportit i kanë bazuar në mallrat që shërbejnë edhe si lëndë e parë.

Shumë eksportues të këtyre mallrave, të inkurajuar nga rritja e çmimeve të tyre në dekadat e mëparshme, kur kërkesa globale për naftë dhe metale ishte e lartë, janë përqendruar shumë në zgjerimin e prodhimit të këtyre mallarave, duke i lënë pasdore disa sektorë të tjerë, përfshirë prodhimin. Tash, këto vende bëhen shumë të varura nga importi.

Megjithatë, ka edhe gjëra të mira.

Derisa dollari më i fuqishëm i krijuar nga rritja e shkallës së interesit, paraqet sfidë për ekonomitë e tjera, ky veprim, po ashtu, ofron disa mundësi të mira.

Tash eksportet nga Shtetet e Bashkuara do të jenë më të shtrenjta se sa mallrat e njejta të prodhuara në vendet e tjera me monedhë më të dobët.

Qartas, prodhuesit në vendet evropiane dhe aziatike kanë përfituar, por kjo mund të vlejë për kompanitë individuale në shumë vende të botës, që shpresojnë të fitojnë treg më të madh për prodhimet e tyre, në karahasim me kompanitë me seli në Shtetet e Bashkuara.

E rëndësishme është, po ashtu, se ripërtrija që po ndodhë në ekonominë e Shteteve të Bashkuara, është lajm i mirë për çdo kompani që eksporton në të dhe për vite të tëra me radhë ka pësuar shitje më të ulët për shkak të recesionit të kaluar.

Eksperti William Jackson thekson:

“Nëse FED-it vazhdon t’i rrisë shkallët e interesit, ky do të jetë reflektim i faktit të garancisë së forcimit të ekonomisë amerikane të politikës monetare më të ashpër dhe kjo vetvetiu është gjë e mirë për botën. Do të thotë se kërkesa në Shtetet e Bashkuara forcohet, kështu që në tregjet që po paraqiten, ne mund të shohim një lloj të rritjes në kërkesat e jashtme për produktet e tyre eksportuese”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG