Ndërlidhjet

logo-print

Sektori privat në Kosovë ka kohë që po ballafaqohet me mungesë të parasë të gatshme në treg.

Sipas përfaqësuesve të këtij komuniteti, arsye e gjithë kësaj është pasi në Kosovë nuk prodhohen të gjitha prodhimet e nevojshme për jetën e njerëzve, kështu që paratë e gatshme shpenzohen për import të produkteve në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Si alternativë e kësaj është rritur niveli i këmbimit të mallrave.

Nënkryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Burim Pirraj, njëherësh pronar i kompanisë përpunuese të mishit “Meka”, thotë se muajve të fundit, në Kosovë kjo dukuri është në rritje, dhe kjo po paraqitet si barrierë në operimin e veprimtarive të tyre.

Ai tregon se mungesa e parave të gatshme në treg, bizneseve i shkakton problem pasi jo në të gjitha rastet kompanitë prodhuese kanë nevojë për këmbim të mallit.

“Muajve të fundit, sidomos në muajin nëntor dhe dhjetor ka marr hov një gjë e tillë. Ne si kompani nuk kemi shumë oferta për kompensim, mirëpo vonesat e pagesave janë shumë të dukshme".

"Për kompanitë prodhuese është shumë problematike që të bëhet këmbimi i mallrave për arsye se në shenjë të ndërrimit të mallrave kompanitë mund të marrin lëndën e parë, por kompanitë tregtare nuk kanë këtë lëndë”, tha Pirraj për Radion Evropa e Lirë.

Këmbimi i mallrave është pjesë e ekonomisë i cili nënkupton ndërrimin e mallrave për mall ose për para.

Këmbimi i mallrave është veprim ekonomik i nevojshëm, meqë në një vend nuk mund te prodhohen të gjitha prodhimet e nevojshme për jetën e njerëzve.

Ndryshe, ekspertë për çështje financiare pohojnë se edhe investimet e realizuara nga bizneset dhe niveli i lartë i kredive, që bizneset kanë në bankat komerciale, vë në pozitë të palakmueshme sa i përket qarkullimit të parasë së gatshme.

Flamur Keqa, drejtor i Institutit për Banka dhe Financa në Kosovë, për Radion Evropa e Lirë, konsideron se bizneset paratë e tyre të gatshme i shfrytëzojnë për investime..

“Bizneset kanë hyrë nëpër faza të ndryshme të investimeve dhe realisht mjetet e tyre janë bllokuar, përkundër asaj që ne nuk shohim se në Kosovë investohet aq shumë në prodhim. Kështu që, për mjetet shtesë ata drejtohen te bankat komerciale”, tha ai.

Ai thotë se këmbimi i mallrave është formë e tregtisë, por jo e leverdishme për bizneset.

“Secili biznes është i interesuar që mallin e tij ta shesë më para të gatshme, dhe paraja e gatshme të gjejë destinimin sipas nevojave të biznesit dhe mos të lidhen më një mall të caktuar që e pengon afarizmin e bizneseve,“ tha Keqa.

Burim Pirraj, ndërkaq shpreh shqetësimin se Kosova po eksporton para të gatshme në tregjet e rajonit dhe Bashkimit Evropian, për të importuar produktet e nevojshme.

Ai vlerëson se më një angazhim të institucioneve kompetente për përmirësimin e industrisë së prodhimit Kosova mund të rritë nivelin e eksportit dhe të ulë shkallën e importit.

“Ka një periudhë të gjatë kohore që në Kosovë kanë munguar politikat e mirëfillta, sidomos politika fiskale ka qenë e tillë që ka pamundësuar një prodhim të vlefshëm vendor".

"Kjo na bënë të kuptojmë se paraja po eksportohet nga Kosova, nuk po prodhohet në Kosovë. Edhe ndryshimet e fundit që janë bërë në pakon fiskale, të cilën qeveria e ka konsideruar të leverdishme për biznese, në realitet ka probleme të shumta”, tha Pirraj

Mungesa e parave të gatshme, sipas tyre, ka bërë që kërkesa e kompensimit të borxheve me mall, të ngarkojë me borxhe të mëdha bizneset në mes vete.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG