Ndërlidhjet

Afganistani synon ta ndërpresë sinjalin e radiostacionit të IS-it


Jalalabad
Jalalabad

Nga Zhakfar Ahmadi dhe Farangis Najibullah

Autoritetet afgane thonë se janë duke bërë përpjekje për ta mbyllur një radiostacion, gjoja i themeluar nga grupi militant, Shteti Islamik, i cili është duke përhapur propagandë anti-qeveritare në lindje të provincës Nangarhar.

Transmetuesi i njohur si Zëri i Kalifatit, inkurajon afganët e rinj që të bashkohen krahas grupit militant dhe të kapin armët kundër qeverisë në Kabul.

Thirrjet e tilla nëpërmjet transmetuesve, kanë shtuar shqetësimin në lidhje me situatën në Nangarhar, vend për të cilin një gjeneral amerikan tha gjatë kësaj jave, se aleatët e Shtetit Islamik janë duke u përpjekur ta krijojnë bazën rajonale.

Raportet e publikuara të enjten e kësaj jave tregojnë se luftëtarët që janë betuar për besnikëri ndaj IS-it, kanë pushtuar territore të reja në Nangarhar.

Zyrtarët thonë se sinjali i radios në Nangarhar, është i fortë dhe arrin në kryeqytetin e provincës Jalalabad, vend strategjik në afërsi të Khyber Pass, ku gjendet edhe rruga tregtare e transportit të madh që lidh Afganistanin me Pakistanin.

Nuk është e qartë se kur kanë nisur transmetimet në këtë radio, por Ministria për Komunikime dhe Teknologjinë e Informacionit në Afganistan, tha gjatë kësaj jave se e kanë vërejtur ekzistimin e saj “rreth dy javë më parë”.

Zëdhënësi Yasin Samim tha se autoritetet “janë duke punuar për ta zbuluar vendndodhjen e radiostacionit”

“Kjo nuk është një detyrë e lehtë, duke e pasur parasysh mungesën e sigurisë në zonën e paqëndrueshme, që kufizohet me rajonet fisnore të Pakistanit. Ky radiostacion nuk është duke transmetuar nga frekuencat afgane”, tha Samim për shërbimin e Afganistanit të Radios Evropa e Lirë.

Samim nuk i konfirmoi të dhënat e qeverisë së krahinës Nangarhar se Zëri i Kalifatit transmetohet nga Pakistani fqinj.

“Ne duhet të presim derisa kjo të konfirmohet nga ekspertët. Është e mundur që teknika e radio-stacionit të jetë siguruar nga një vend fqinj apo mënyrave tjera alternative”, theksoi ai.

Megjithatë, zyra e guvernatorit të Nangarharit njoftoi se kanë kërkuar nga konsullata pakistaneze në Jalalabad, që të marrin masa për t’ia ndërprerë transmetimin Zërit të Kalifatit.

“Sipas informacioneve që ne i posedojmë, kjo radio është duke transmetuar nga ana tjetër e kufirit”, tha Asadullah Khugyani, zëdhënës i guvernatorit dhe shtoi se:

“Militantët përdorin rrjetet sociale, të tilla si Facebook, me qëllim që ta përhapin mesazhin e tyre”.

Autoritetet afgane kanë shfaqur shqetësime në lidhje me shtimin e pranisë së militantëve.

Një shpërthim vetëvrasës në muajin prill, në afërsi të një banke në Jalalabad, ka lënë të vdekur së paku 35 persona dhe ka plagosur më shumë se 100 të tjerë. Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Shteti Islamik, grup militant i cili ka pushtuar sipërfaqe të mëdha në Siri dhe Irak.

Sulmi vetëvrasës, i pari i pretenduar se është kryer nga grupi militant në Afganistan, ka bërë që presidenti Ashraf Ghani të paralajmërojë për atë që ai e cilësoi si “kërcënim të tmerrshëm” që vjen nga ekstremistët që kanë në cak shtetet e Azisë perëndimore dhe qendrore.

Komandanti i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, John Campbell, tha në fillim të kësaj jave se “luftëtarët e huaj” nga Siria dhe Iraku u janë bashkuar militantëve afganë, të cilët ia kanë dhënë besën grupit IS në Nangarhar.

Campbell tha gjithashtu se ka “indikacione” se besnikët e IS-it në Nangarhar po tentojnë të krijojnë lidhje me udhëheqësit e grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak.

Sipas Campbellit, aktualisht në Afghanistan janë një mijë deri në tre mijë anëtarë aktivë të IS-it.

Autoritetet e Nangarharit gjatë muajit nëntor i kanë arrestuar 27 studentë në Jalalabad, pas raporteve në media se gjatë një proteste për kushtet e vështira të jetesës në konviktet universitare, ata kanë mbajtur në duar edhe flamuj të Shtetit Islamik.

Grupi militant në internet e publikon revistën në gjuhën angleze të njohur si Debeq, ndërsa në Irak e ka edhe një rrjet të radiove që transmeton program në gjuhën arabe, angleze dhe ruse.

Grupi, gjithashtu, shumë shpesh ka publikuar incizime të tmerrshme që dokumentojnë krimet e grupit militant, duke përfshirë prerjen e kokave të pengjeve, djegien e tyre brenda në kafaze dhe hedhjen e tyre nga ndërtesat.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG