Ndërlidhjet

logo-print

Kerry: KS dërgon mesazh për ndaljen e vrasjeve në Siri

  • RFE /RL

Takimi i 20 ministrave të Jashtëm, Nju Jork.

Takimi i 20 ministrave të Jashtëm, Nju Jork.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, të shtunën në mëngjes, miratoi rezolutën e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, që e mbështet një plan ndërkombëtar për procesin e paqes në Siri.

Teksti i kësaj rezolute ishte përpiluar në një hotel në Nju Jork, gjatë ditës së premte, në takimin e 20 ministrave të Jashtëm, i thirrur nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura.

Rezoluta fton Kombet e Bashkuara që t’i sjellin së bashku përfaqësuesit e Qeverisë së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, dhe grupet e moderuara opozitare, që kanë luftuar kundër regjimit të Assadit për gati pesë vjet.

Ky dokument sugjeron se bisedimet mund të fillojnë në janar të vitit të ardhshëm.

“Këshilli po dërgon mesazh të qartë te të gjitha palët, se tash është koha për ndaljen e vrasjeve në Siri dhe për ta krijuar bazën për qeverinë, të cilën njerëzit e kësaj toke të dëmtuar do ta mbështesin”, tha John Kerry.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Barack Obama, pak kohë pas miratimit të rezolutës në Kombet e Bashkuara, në konferencën e tij të fundvitit për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, tha se ky është moment për “gjetjen e tranzicionit politik, që e ruan shtetin e Sirisë”.

“Tash ne kemi një mundësi, jo për t’u kthyer prapa dhe do të jetë shumë vështirë për ta kapërcyer gjithë shkatërrimin që tashmë ka ndodhur në Siri, por për të gjetur një tranzicion politik, që e ruan shtetin e Sirisë, e pranon se brenda Sirisë ka shumë palë të interesuara, dhe me shpresë për ta iniciuar armëpushimin, i cili nuk do të jetë perfekt, por u lejon të gjitha palëve t’i kthehen asaj, që duhet të jetë fokusi numër një, e ky është shkatërrimi i Shtetit Islamik dhe aleatëve të tij në rajon”, tha Barack Obama.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Siria duhet të mbetet shtet i pandarë.

“Siria duhet të mbetet shtet unik, sekular, shumëfetar dhe shumetnik, i përshtatshëm dhe i sigurt për të gjitha grupet, që e përbëjnë popullatën e saj. Populli i Sirisë ka të drejtë ta përcaktojë të ardhmen e vet. Kjo është përgjigje e qartë për përpjekjet e jashtme që të ketë imponim në vendimet e Sirisë lidhur me të gjitha çështjet, me të cilat ajo ballafaqohet, përfshirë edhe fatin e presidentit të tyre”, theksoi Sergei Lavrov.

Në rezolutë nuk përmendet e ardhmja e Assadit. Për këtë çështje Rusia dhe perëndimi mbeten të përçarë.

Rusia dhe Irani e mbështesin Assadin, derisa përkrahësit kryesorë të opozitës së Sirisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe Arabia Saudite, insistojnë se ai duhet të largohet.

Presidenti Barack Obama e përsëriti qëndrimin e Uashingtonit se derisa Assadi të mbetet president, Siria nuk do të jetë stabile.

“Mendoj se Assadi duhet të largohet me qëllim që në vend të ndalet gjakderdhja dhe që të gjitha palët e përfshira, të jenë në gjendje të lëvizin përpara në mënyrë jo-sektare. Ai e ka humbur legjitimitetin në sytë e shumicës së madhe të komunitetit”, theksoi Barack Obama.

Franca, po ashtu, është kundërshtare e fuqishme e Assadit dhe kërkon që ai të largohet.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se bisedimet ndërmjet Qeverisë së Sirisë dhe opozitës, do të kenë sukses vetëm nëse ka garantime të besueshme për largimin e Assadit.

“Si mundet ky njeri ta bashkojë popullin, të cilin ai në të kaluarën pjesërisht e ka masakruar”, tha Fabius dhe shtoi se “ideja që ai përsëri mund të garojë në zgjedhje për president, është e papranueshme për ne”.

Përgatitja e tekstit të rezolutës nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara u bë pas vizitës së 15 dhjetorit të zotit Kerry në Moskë, me ç’rast ai ishte takuar me ministrin Lavrov dhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Pas takimit me Putinin, sekretari Kerry pati thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Rusinë për ta shkatërruar grupin ekstremist, Shteti Islamik.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG