Ndërlidhjet

Masat populiste të qeverisë - ndihma për banim me synim nxitjen e natalitetit


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Qeveria e Maqedonisë ka prezantuar një pjesë të projekteve për të rinjtë në Maqedoni, të cilat përfshijnë mundësi për të marrë mjete të pakthyeshme nga shteti, për të blerë shtëpi për të gjithë ata që janë nën 35 vjeç dhe arrijnë të sigurojnë të ardhura mujore mbi 900 euro ose për çifte bashkëshortore mbi 1 mijë 300 euro.

Ndër projektet e prezantuara janë edhe legalizim i marihuanës, udhëtimet pa pagesë në qendrat evropiane dy herë brenda vitit, për studentët me notë mesatare mbi 9.5 etj.

Mitko Gaxhovski, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Shkup konsideron se premtimet e kreut të Qeverisë, Nikolla Gruevski, duke ofruar një varg privilegjesh për grupmoshat më të reja, janë si rrjedhojë e një fakti të pamohueshëm, se ajo rezistencë mbase dhe jo aq e fuqishme, por nga më seriozet kundër politikave qeveritare në dekadën e fundit, ka ardhur pikërisht nga të rinjtë.

Rezistenca, thotë Gaxhovski, shfaqej herë pas here edhe me organizimin e protestave të studentëve apo edhe nxënësve të shkollave të mesme.

Absolutisht, bëhet fjalë për marketing politik në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme të cilat është caktuar të mbahen në prill të vitit të ardhshëm. Por, çështje tjetër është ajo, se sa do të besojnë të rinjtë në premtimet e kryeministrit Gruevski, sepse gjatë viteve të fundit të rinjtë disa herë janë ndeshur duke shfaqur revoltën e tyre kundër politikave qeveritare, veçanërisht atyre arsimore”, vlerëson Gaxhovski.

Ndërkaq, Arsim Sinani, ligjërues i Shkencave të komunikimit, thotë se pushteti aktual, edhe pse i takon të djathtës, ajo ka arritur të sigurojë përkrahjen e moshës së mesme dhe pensionistëve pikërisht përmes politikave të mirëqenies sociale, jorrallë duke kopjuar dhe veprimet e sistemit monist.

Por, tani, thotë ai, pushteti më shumë ka frikë nga forca e të rinjve, të cilët nuk i takojnë klikës së prindërve të tyre.

Të rinjtë, sipas Sinanit, dëshirojnë t’i kenë mundësitë që u ofrohen moshatarëve të tyre në vendet e Bashkimit Evropian.

“Kur partitë e djathta sillen si të majta, dhe me çdo kusht tentojnë ta joshi elektoratin, s’do mend se kemi dhe propozime të tilla posaçërisht kur vijnë zgjedhjet. Të rinjtë, të cilët janë të aftë, kudo në botë, nuk presin nga qeveria apo dikush tjetër t’ua subvencionojë udhëtimet. Ata paratë i sigurojnë me punë, në bazë të aftësive të tyre dhe nuk kanë nevojë për subvencione të tilla".

"Me këto veprime të qeverisë, kur kemi parasysh se në Maqedoni kemi një numër të madh të elektoratit që i përkasin moshës më të re, synohet të joshet kjo pjesë e trupit votues gjë që mendoj se do të jetë shumë e vështirë”, konsideron Sinani.

Por, ndryshe mendon Aleksandar Dashtevski nga Instituti “Euroballkan” në Shkup. Ai konsideron se pushteti aktual në krye me Nikolla Gruevskin, në vazhdimësi ka promovuar politika, që në fokus kanë pasur interesat e grupmoshave të caktuara.

“Unë mendoj se bëhet fjalë për një vazhdimësi të politikave qeveritare, të cilat janë duke u realizuar tashmë një kohë të gjatë. Kjo që është aktuale tani me legalizimin e marihuanës, duhet të kujtojmë se për këtë çështje u organizuan më shumë debate publike se do të jetë i mirë ose jo ky vendim për Republikën e Maqedonisë. Dhe, në ato debate, u theksua se kjo çështje do të jetë në të mirë ë vendit”.

“Edhe premtimet e tjera të cilat tani bëhen, janë pjesë e vazhdimësisë së politikave qeveritare. Në fillim kishim lehtësime për blerje të banesave nga ana e çifteve bashkëshortore, tani kemi krijimin e blerjes së shtëpive, pra mua nuk më duket asgjë e re,pos një vazhdimësie e politikave, që i promovon pushteti aktual. Çështje tjetër është ajo, se sa këto politika realizohen ose sa mund të shfrytëzohen këto oferta nga grupet që u dedikohen”, thotë Dashkovski.

Ndryshe “Bli shtëpi për të rinj” është projekti i ri i Qeverisë me qëllim të sigurimit të mbështetjes për vendbanim për personat deri në 35 vjeç, pa marrë parasysh statusin bashkëshortor, si dhe për rritje të natalitetit nëpërmjet dy modeleve për subvencionim. Ky projekt është promovuar nga vetë kryeministri Nikolla Gruevski, duke mos dhënë detaje se sa mjete saktësisht janë ndarë nga buxheti për realizmin e këtij projekti dhe nëse ato janë siguruar.

Kryeministri Gruevski ka deklaruar se shteti, të gjithë të rinjve deri në moshën 35-vjeçare, të cilët arrijnë të sigurojnë të ardhura mujore prej 900 eurove ose çiftet bashkëshortore, do t’ju japë kredi për të blerë shtëpi të re në vlerë deri në 50 mijë euro.

Kredia do të zgjasë 20 vjet, ndërsa 11 vitet e para, shteti do ta paguajë kredinë e marrë:gjatë 8 viteve të para 80% të kredisë, ndërsa nga viti i 8 deri në të 13, shteti do ta paguajë 50% të kredisë

Analistët thonë se një ofertë e këtillë nga ana e qeverisë jo vetëm që është absurde po mund të merret edhe fyese për të rinjtë, nëse kihet parasysh fakti se rroga mesatare në Maqedoni është 22 mijë denarë, përkatësisht rreh 380 euro, ndërkohë që mbi 50 për qind e të rinjve nën moshën 35-vjeçare janë të papunë.

XS
SM
MD
LG