Ndërlidhjet

Kompanitë e sigurimeve, mbi një milion euro borxh Kryqit të Kuq


Ilustrim
Ilustrim

Mbi një milion euro është shuma që Kryqi i Kuq i Kosovës konsideron që ia kanë borxh kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Kosovë.

Në bazë të Ligjit për Kryqin e Kuq, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2010, kompanitë obligohen që një për qind të vlerës se sigurimit të çdo automjeti, të shkojë në xhirollogarinë e Kryqit të Kuq.

Adem Nura, udhëheqës i Kryqit të Kuq të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kompanitë e sigurimeve tash e pesë vjet “asnjë cent nuk e kanë deponuar në xhirollogari të kësaj organizate”.

Për këtë çështje, ai tregon se Kryqi i Kuq i Kosovës, ka paditur në organet gjyqësore kompanitë e sigurimeve për mosrespektim të Ligjit për Kryqin e Kuq.

“Unë kam qenë i detyruar t'i padis në gjyq dhe tashmë janë duke u zhvilluar procedurat gjyqësore, me të cilat nuk jam aspak i kënaqur, pasi janë duke u vonuar, duke u neglizhuar. Duke e marrë parasysh ndikimin e politikës dhe njerëzve që kanë para edhe në gjyqësor, fatkeqësisht më duhet të them edhe këtë, sepse deri më tani është dashur të përfundojë ky problem”, tha Nura.

Në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës janë të licencuara 14 kompani të sigurimeve, e të cilat konsiderohen relativisht fitimprurëse në industrinë e sigurimeve.

Por, Rrahim Pacolli, kryetar i Bordit të Byrosë Kosovare të Sigurimit, për Radion Evropa e Lirë, konsideron se ligji i miratuar, që detyron kompanitë e sigurimeve të paguajnë një përqindje për Kryqin e Kuq është i gabuar, pasi sipas tij, dëmton bizneset e sigurimeve.

“Derisa të përfundojnë procedurat gjyqësore, asnjë kompani e sigurimeve nuk mund të paguajë. Madje, ne kemi shikuar gati në të gjitha shtetet e botës, dhe asnjë vend nuk ka një ligj që obligon kompanitë e sigurimeve të paguajnë për Kryqin e Kuq".

"Këtë organizatë e ndihmojnë të gjitha kompanitë në mënyrë vullnetare. Por, ligji është i gabuar dhe për këtë arsye ka përfunduar në gjykatë. Nuk mund të jemi shteti më i ri në botë dhe me ligje të njëanshme”, ka thënë Pacolli.

Në Kosovë llogaritet se janë të regjistruara afër 300 mijë mjete motorike dhe jo motorike. Çmimet për sigurime ndryshojnë në varësi të specifikave të mjetit motorik, duke filluar nga 60 deri në 250 euro.

Për këtë Adem Nura, tregon se borxhi i grumbulluar arrin në mbi një milion euro dhe me marrjen e këtyre mjeteve, Nura thotë se do të fillojnë disa projekte.

“Llogaria është e thjeshtë, shihet për çdo vit se sa vetura kanë qenë të regjistruara, sa ka kushtuar sigurimi dhe një për qind e asaj vlere duhet të shkojë në xhirollogarinë e Kryqit të Kuq”.

Ndërkaq, zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, më herët për Radion Evropa e Lirë patën thënë se ky institucion ka diskutuar për këtë temë me industrinë e sigurimeve, dhe po ashtu, u ka bërë kërkesë kompanive që të jenë në pajtueshmëri të plotë me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

XS
SM
MD
LG