Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Tërhiqet ndalesa 42 vjeçare e eksportit të naftës

  • RFE /RL

Barack Obama

Barack Obama

Kongresi i Shteteve të Bashkuara, më 18 dhjetor e ka miratuar pakon e shpenzimeve prej 1100 miliardë dollarëve, ku përfshihen pothuajse të gjitha llojet e amandamenteve, duke u nisur prej gjërave të çudtishme e deri tek ato substanciale.

Kjo ndodhë për arsye se legjislacioni prej 2 mijë faqeve, që i përcakton pritoritetet e financimeve për vitin e ri fiskal, është rezultat i pazarllëqeve politike nga 535 përfaqësuesit dhe senatorët e Kongresit amerikan.

Por, kjo pako e shpenzimeve, që pritet të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Barack Obama, për tu shndërruar në ligj, po ashtu, përfshin masa me implikime në politikën e jashtme.

Në vazhdim i paraqesim dy prej katër amandamenteve politike të kësaj pakoje, që mund të ndikojnë në raportet e Uashingtonit me botën.

Eksporti i naftës së papërpunuar

Pakoja e re e shpenzimeve e tërheq ndalesën 42 vjeçare për eksportimin e naftës së papërpunuar, që ishte vendosur pak kohë pas embargos së naftës nga ana e OPEC-ut në vitin 1973, që ka çuar në mungesa të mëdha të gazit në Shtetet e Bashkuara dhe rreshta të pafund të shoferëve amerikanë, në pritje për t’i mbushur rezervoarët e veturave të tyre.

Katër dekada pas ndalesës, Shtetet e Bashkuara janë bërë njëri nga vendet më të mëdha prodhuese të naftës dhe gazit në botë, në saje të revolucionit në teknologjinë e e nxjerrjes nëntokësore, e njohur me emrin anglez “Fracking”, që paraqet një proces të injektimit të lëngut me presion të lartë në shkëmbinjtë nëntokësor duke e nxjerrë naftën ose gazin.

Këto inovacione kanë ndikuar që tregjet e Shteteve të Bashkuara të vërshohen me hidrokarbure, të njohura si naftë dhe gaz argjilorë, dhe ka ndihmuar në uljen e çmimit të naftës në botë, në më pak se 35 dollarë për një fuçi, prej 100 dollarëve për një fuçi, sa ishte para një dekade.

Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, tash e drejta për eksport do tu jepet kompanive amerikane të naftës së papërpunuar, që prodhojnë 9.2 milionë fuçi në ditë, ndërsa gjysma e kësaj sasie prodhohet nga sistemi i ri me injektim nëntokësor.

Ky zhvillim është lajm i mirë për rafineritë e Shteteve të Bashkuara, të cilat për një kohë të gjatë janë të afta për t’i eksportuar prodhimet e tyre.

Por, David Knapp, ekspert i Energy Intelligence Group me seli në Nju Jork, thotë se ky aspekt do të ketë më tepër ndikim rajonal se sa global.

“Për naftën e papërpunuar të Shteteve të Bashkuara në këtë moment nuk ka kërkesa të mëdha. Kjo do të thotë se në treg ka shumë naftë. Pra, ndikimi do të jetë shumë i lokalizuar dhe do të jetë më tepër rajonal se sa ndërkombëtar”, thotë David Knapp.

Vendet që buxhetin dhe ekonominë e tyre e sigurojnë nga çmimet e larta të naftës, siç është Rusia për shembull, nuk do të dëmtohet direkt nga tërheja e ndalesës së eksportit nga ana e Shteteve të Bashkuara, por as nuk do t’i ndihmojë ato.

Buxheti i Rusisë për vitin e ardhshëm fiskal është i bazuar në çmimin e projektuar të naftës prej 40 dollarëve për fuçi.

Por, sa më tepër naftë në treg, çmimet do të jenë më të ulëta. Rrjedhimisht, çmimet më të ulëta për Rusinë do të sjellin të ardhura më të vogla.

Kjo do të thotë se qeveria e Rusisë do ta ketë më vështirë për t’i paguar pensionet, mësuesit e shkollave, pastaj aeroplanët e avancuar luftarakë dhe nëndetësest raketore balistike atomike.

Ashpërsimi i kritereve për viza

Legjislacioni i ashpërson kufizimet për udhëtim në Shtetet e Bashkuara, për banorët e 38 vendeve, shumica prej tyre evropiane, shtetasit e të cilave kualifikohen për Programin Visa Waiver të Shteteve të Bashkuara, pasi i plotësojnë kërkesat strikte.

Sipas këtij programi, afro 20 milionë njerëz i vizitojnë Shtetet e Bashkuara për çdo vit, pa i marrë vizat paraprakisht.

Ligjvënësit amerikanë gjatë muajve të fundit kanë shprehur shqetësim në rritje se terroristët mund të depërtojnë në Shtetet e Bashkuara sipas programit Waiver.

Sulmet terroriste të 13 nëntorit në Paris, me ç’rast u vranë 130 njerëz, i kanë shtuar këto shqetësime. Shumica e sulmuesve ishin shtetas të Belgjikës ose të Francës, megjithqë sipas disa raporteve të pakonfirmuara, disa prej sulmuesve kanë mund të jenë migrantë nga Lindja e Mesme.

Vendimi i adminsitratës Obama, për ta shtuar numrin e refugjatëve sirianë që largohen nga lufta civile, i ka brengosur edhe më tepër ligjvënësit.

Po ashtu, shqetësimet u shtuan edhe pas sulmit më 2 dhjetor, nga i cili u vranë 14 vetë në një qendër të shërbimeve sociale në Kaliforni, përkundër faktit se njëri nga sulmuesit ishte shtetas amerikan me origjinë pakistaneze, ndërsa gruaja e tij, që po ashtu mori pjesë në sulm, ka hyrë në Shtetet e Bashkuara me vizë speciale për martesë.

Disa ligjvënës amerikanë kanë kërkuar ndalesë komplete për programin Visa Waiver. Legjislacioni për shpenzim e ashpërson mënyrën si si operaon programi, duke synuar shtim të bashkëpunimit në ndarjen e informacioneve me 38 shtetet pjesëmarrëse të këtij programi.

Me këtë legjislacion, po ashtu, kufizohet hyrja në Amerikë për njerëzit që kanë udhëtuar në Siri, Irak dhe Iran.

Ky legjislacion e ka shqetësuar Bashkimin Evropian. Në një letër të hapur të publikuar në fillim të dhjetorit, ambasadori i BE-së në Uashington, David O’Sullivan, ka tërhequr vëretjen se ky ashpërsim mund të rezultojë me masa reciproke për shtetasit amrikanë anga vendet evropiane.

E përgatiti: Fatmir Bujupi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG