Ndërlidhjet

Reformat në prokurimin publik - kriter i liberalizimit


Ilustrim
Ilustrim

Kosova nuk arriti që gjatë këtij viti të fillojë zbatimin e reformave të bëra në Ligjin e ri të prokurimit publik, pasi që si i tillë u miratua vetëm pak ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Zbatimi i reformave të Ligjit të prokurimit publik ishte një ndër kriteret për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, për në vendet e zonës Schengen të Bashkimit Evropian.

Prokurimi publik në raportet vendore, dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në Kosovë.

Një vlerësim i tillë ishte dhënë vazhdimisht në raportet e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Parregullsitë e evidentuara gjatë procesit të prokurimit publik ishte thënë se kanë krijuar probleme të mëdha edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Ligji i ri i prokurimit publik, ishte gati qysh në shtator, por që shkak i vonesës së miratimit të këtij ligji, ka qenë bllokimi i seancave të Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare.

Ardita Dushi, këshilltare politike për media e ministrit të Financave Avdullah Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndryshimet që janë bërë tani në këtë ligj, do të sjellin rregulla të reja të prokurimit publik, të cilat në një mënyrë do të parandalojnë keqpërdorimet në këtë fushë.

“Ligji për Prokurimin Publik është një ndër reformat më të thella në prokurimin publik. Ky ligj parasheh aplikimin e prokurimit elektronik. Tjetër reformë është ndarja e kontratave në loto për të mundësuar pjesëmarrjen e firmave të vogla në prokurim”.

“Po ashtu, organizatat e shoqërisë civile mund të marrin pjesë në prokurime si dhe të gjithë zyrtarët e prokurimit kalojnë nëpër trajnime gjatë vitit të parë”, ka bërë të ditur Dushi

Sipas saj, të gjitha këto masa pritet të rrisin efikasitetin e shpenzimeve publike duke reduktuar me 12 për qind koston në projekte që tenderohen dhe 30 për qind zvogëlim të shpenzimeve administrative të zyrave të prokurimit.

“Ndryshimet përmbajtësore dhe procedurale të këtij projekt-ligji ndikojnë në rritjen e efikasitetit dhe transparencën. Vetë prokurimi elektronik do të rris transparencën, pasi që të gjithë do të kenë mundësinë të shohin online tenderimin dhe kushtet. Më prokurimin elektronik transparenca, tash e tutje do të jetë maksimale”, tregon Dushi.

Problemi i prokurimit publik, vazhdimisht ishte ngritur si çështje nga Oda Ekonomike Amerikanë në Kosovë.

Përfaqësuesit e kësaj shoqate ekonomike, kishin treguar se kanë pasur ankesa të shumta nga bizneset në Kosovë, për parregullsitë që ndodhin gjatë procesit të tenderimit publik.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanenë Kosovë, Arian Zeka, ka folur për një gjendje jo të mirë të fushës së prokurimit publik në Kosovë.

“Çka është më e keqja është që edhe organet që është dashur të mbikëqyrin rregullsinë e gjitha aktiviteteve të prokurimit publik nuk është se kanë qenë në nivel të mjaftueshëm të detyrës. Kemi udhëheqësin e organit të shqyrtimin të prokurimit i cili është duke u përballë me akuza, dhe ky është treguesi më i mirë i gjendjes më të cilën gjendet prokurimi publik në Kosovë”, ka theksuar Zeka.

Prokurimi elektronik, i cili parashihet me Ligjin e ri të prokurimit, ka shtuar Zeka, është një element i cili do të krijojë transparencë dhe si i tillë do të fuqizonte llogaridhënien brenda gjithë trupave të prokurimit në cilindo institucion publik.

Megjithatë, sipas tij, nuk mjafton vetëm kjo.

“Duhet ta kemi të qartë që edhe vetë prokurimi elektronik nuk do t’i zhduk parregullsitë në tender apo në procesin e prokurimit publik automatikisht, pasi që duhet të punohet në integritetin e njerëzve, të gjithë zyrtarëve të prokurimit, duhet të ketë ndëshkime nga ana e gjyqësorit për ata zyrtarë të prokurimit që janë përfshirë në afera korruptive ose në parregullsi të aktiviteteve të prokurimit publik”, vlerëson Zeka.

Ligji i prokurimit publik është miratuar në vitin 2003 dhe deri më tani ky ligj ka pësuar më shumë se pesë herë ndryshime.

Janë rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

XS
SM
MD
LG