Ndërlidhjet

Afganistan: Nga sulmi vetëvrasës u vranë 6 ushtarë amerikanë


Ushtarët amerikanë e sigurojnë vendin ku ka ndodhur një sulm në Afganistan
Ushtarët amerikanë e sigurojnë vendin ku ka ndodhur një sulm në Afganistan

Gjashtë ushtarë të NATO-s janë vrarë sot nga një sulm vetëvrasës kundër patrullës së tyre afër bazës ajrore ushtarake në Bagram të Afganistanit. Ky është sulmi më vdekjeprurës kundër forcave ndërkombëtare prej muajit gusht.

Një zyrtar amerikan është cituar nga agjencitë e lajmeve duke thënë se të gjithë ushtarët e vrarë ishin amerikanë. Ky zyrtar ka folur në kushte të anonimitetit.

Misioni i NATO-s në Afganistan më herët pat njoftuar se 6 ushtarë ishin vrarë dhe tre ishin plagosur, por nuk e ka zbuluar kombësinë e të vrarëve.

Talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Sulmi ndodhi derisa militantët talibanë e kanë marrë kontrollin ndaj qarkut Sangjin në pjesën jugore të provincës Helmand.

Po ashtu, sot në orët e mbrëmjes, tri raketa e kanë goditur një hapësirë në kryeqytetin Kabul në Afganistan, ku janë të vendosura ambasadat e jashtme dhe ndërtesat qeveritare.

Nuk janë dhënë detaje të menjëhershme për viktimat eventuale apo dëmet.

Më 22 gusht, nga një sulm vetëvrasës në Kabul janë vrarë tre kontraktorë amerikanë.

XS
SM
MD
LG