Ndërlidhjet

Universiteti i ri në Shkup, domosdoshmëri apo projekt marketingu politik?


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar vendimin për hapjen e një universiteti të ri në Shkup dhe pas kalimit të propozim-ligjit në Kuvend, ai pritet të marrë formën e prerë nga Këshilli për Akreditim, që më pas të nisin procedurat për zgjedhjen e organeve drejtuese, edhe pse me punë ende nuk dihet se kur do të fillojë për shkak të mungesës së lokaleve dhe procedurave tjera administrative.

Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi, ka deklaruar se universiteti do të jetë në gjuhën shqipe, me disa lëndë që do të mësohen në maqedonisht, në bazë të ligjit për arsimin e lartë.

“Kjo ka qenë ëndërr e çdo shqiptari dhe tani po bëhet realitet. Universiteti do të ketë pesë fakultete, kryesisht të drejtimeve teknike. Ashtu edhe si parasheh ligji për arsimin e lartë, së paku dy lëndë duhet të jenë në gjuhën maqedonase".

"Përveç kësaj, rektori i këtij universiteti mund të jetë profesor i huaj, pra të menaxhohet nga një ekspert me përvojë pune, sepse qëllimi është që ne të kemi universitet të mirëfilltë”, ka deklaruar ministri i arsimit, Abilaqim Ademi.

Ndryshe nga ai, kryeministri maqedonias, Nikolla Gruevski ka thënë se universiteti i ri do të ketë dimension ndërkombëtar dhe se mësimi do të zhvillohet në tre gjuhë maqedonisht, shqip dhe angalisht.

Por, pavarësisht kësaj, vendimi për hapjen e këtij universiteti ka hapur dilema dhe reagime të shumta në opinion, për atë nëse hapja e këtij institucioni të lartë arsimor është nevojë, apo bëhet për marketing politik në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

Sulejman Rushiti, ish Ministër i Arsimit, thotë se vendimi është i motivuar politikisht për fushatë zgjedhore nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ai thotë se në vend të konsolidimit të universiteve ekzistuese, që ndodhet larg standardeve ndërkombëtare, qeveria miraton vendimin për hapjen e një univeristeti të ri, që edhe më shumë do të përkeqësojë gjendjen e arsimit të lartë.

“Fakti që vendimit për hapjen edhe të një universiteti në Shkup nuk i parapriu një studim, një hulumtim, një përfshirje e intelektualëve, profesorëve, biznesit, e kështu me radhë, lë shumë hapësirë për të qenë skeptik. Hapësirë për të qenë skeptikë lënë edhe dështimet tjera të po këtij subjekti që pretendon se do të bëjë një subjekt serioz që do të plotësonte kërkesat eventuale, e kështu me radhë".

"Ajo që është me rëndësi të thuhet është se me buxhetin e miratuar për vitin e ardhshëm, nuk janë paraparë mjete për këtë universitet. Duke marrë parasysh gjithë këto analiza dhe duke i marrë parasysh dështimet në arsimin fillor dhe të mesëm, këto lënë të dyshosh se do të ketë një projekt serioz dhe lënë të dyshosh se kemi të bëjmë me një marketing politik nga një parti, e cila futet në zgjedhje e lënduar dhe pa asnjë projekt me të cilin do të duhet të dalë para votuesve shqiptarë“, thotë Sulejman Rushiti, Ish ministër i arsimit dhe Shkencës

Mersel Bilalli, professor në Universitetin Fon të Shkupit thotë se askush nuk mund të jetë kundër hapjes së universiteve të reja, por me kusht që ato të mos keqpërdoren për qëllime politike dhe me kusht që hapja e tyre të ketë për qëllim ngritjen e cilësisë dhe jo prodhimin e kuadrove që nuk mund të jenë konkurrues dhe të pa perspektivë.

“Pa dilemë se ideja duhet të përkrahet me kusht që të jetë fjala për një projekt serioz, e jo imitim i projekteve ekzistuese, të cilat lirisht mund të them se kanë dështuar. Edhe sikur të jetë reklamë parazgjedhore, nëse themelohet një universitet sipas standardeve evropiane duhet të përkrahet, por nëse bëhet fjalë për marketing për punësime partiake, ai do të dështojë”, thotë Bilalli, duke theksuar nevojën që institucione të tilla të menaxhohen nga ekspertë të jashtëm, jo se në Maqedoni nuk ka të tillë, por se vetëm në këtë mënyrë mund të zvogëlohen ndikimet politike.

Aktualisht, shqiptarët në Maqedoni kanë Universitetin Shtetëror të Tetovës që radhitet ndër të fundit në Maqedoni, për sa i përket cilësisë në arsim, bazuar në rangimin e bërë nga institucionet ndërkombëtare. Përveç këtij institucioni të arsimit të lartë, mësim në gjuhën shqipe zhvillohet edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

XS
SM
MD
LG