Ndërlidhjet

SHBA dhuron donacion për Kompaninë e Deminimit të FSK-së


Ilustrim
Ilustrim

Në Kazermën e Kompanisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së në Prizren, sot është mbajur ceremonia e certifikimit të trajnerëve për Deminim dhe Eliminim të Mjeteve të Pashpërthyera dhe pastrim të fushëbetejave. Përveç kësaj është bërë edhe dorëzim- pranimi i një donacioni nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë, në vlerë prej 200 mijë eurosh, që përfshin pajisje specialistike për operacione të deminimit.

Përmes një komunikate të lëshuar, Forca e Sigurisë së Kosovës, ka njoftuar se Ministri i FSK-së, Haki Demolli i ka falenderuar Shtetet e Bashkuara për donacionin dhe mbështetjen në kontunitet të FSK-së, në ngritjen e kapaciteteve dhe përmbushjen e misionit të saj në mënyrë efikase.

Ai citohet të ketë thënë se ekzistimi i zonave të minuara dhe mjeteve të pashpërthyera në zonat e afektuara nga to, nuk përbën vetëm një rrezik për jetën e njerëzve e banorëve, por e rëndon edhe gjendjen ekonomike të tyre për shkak të pamundësisë së punimit të tokave bujqësore dhe shfrytëzimit të produkteve malore.

I pranishëm në këtë ngjarje, ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Gregory Delawie, citohet të ketë thënë se është i nderuar që në emër të Ambasadës Amerikane dhe Qeverisë Amerikaneti i dhurojë FSK-së mjetet specialiste “me qëllimin që këto mjete të lehtësojnë punën e deminierëve në terren në mënyrë që Kosova të jetë e sigurt për qytetarët e saj”.

Në fund të ceremonisë, iu janë ndarë certifikatat 15 pjesëtarëve që e kanë kryer nivelin e parë të trajnimit trajno-trajnerët.

XS
SM
MD
LG