Ndërlidhjet

IS-i humb territor


Luftëtarët shiitë pas rimarrjes së rafinerisë në Baiji, qershor 2015
Luftëtarët shiitë pas rimarrjes së rafinerisë në Baiji, qershor 2015

Grupi militant Shteti Islamik gjatë këtij viti ka humbur 14 për qind të territorit të cilin e quan Kalifat, në Siri dhe Irak.

Për analistët, shkruan e përditshmja “Times", humbjet nënkuptojnë shtimin e ambicieve të këtij grupi për të zgjeruar kontrollin e tij territorial.

Është e vërtetë se IS-i ka shënuar fitore thelbësore në propagandë dhe në rrafshin psikologjik ,duke pushtuar qytetin Ramadi në Irak dhe qytetin antik Palmyra në Siri, por, shkruan gazeta, të dyja fitoret erdhën me çmimin e humbjes së një pjese të territorit në Sirinë veriore, gjatë luftimeve me forcat siriane kurde.

Në Irakun verior ndërkaq, milicia Shiite rimorri kontrollin mbi qytetin Tikrit, kurse forcat irakiane të sigurisë,rimorrën rafinerinë më të madhe të naftës në vend në Baiji.

“Times” shkruan se më së shumti sukses, IS-i ka pasur në kontrollimin e rajoneve me shumicë sunite, si në Siri, ashtu edhe në Irak, duke shfrytëzuar tensionet sektare për të përfituar mbështetjen e popullatës lokale.

E përditshmja “Guardian” shkruan se pas sulmeve terroriste në Paris dhe në San Bernardino të Shteteve të Bashkuara, Shteti Islamik ka shënuar ndikim global.

Duke marrë parasyshë këtë agjendën e re ndërkombëtare të IS-it, gazeta thotë se analistët janë duke bërë përpjekje intensive për të vlerësuar burimin kryesor të këtij grupi, për të qenë në gjendje të kuptojnë se si ta ndalin atë.

Në kuptimin e burimit të tij, shumëkush e drejton gishtin drejt Arabisë Saudite; në kuptimin e ndalimit të tij, gishti nis e drejtohet kah Shtetet e Bashkuara, shkruan Guardian.

Por, gazeta vlerëson se po ta shikosh nga afër, IS-iduket se është i angazhuar në një luftë me rrënjë të thella teologjike me establishmentin fetar saudit, i cili promovon doktrinën e pastër të Islamit sunit.

Udhëheqja e mbretërisë saudite ka njoftuar së fundmi për një koalicion mysliman, qëllimi i të cilit do të jetë lufta kundër çfarëdo forme të terrorizmit .

Kjo për shumëkë konfirmon faktin se Arabisë Saudite, jo vetëm që është burim i IS-it, por është armiku qëndror i këtij grupi të njohur ndërkombëtarisht si terrorist dhe është realisht i vetmi vend i cili në mënyrë legjitime, mund t’i japë fund atij njëherë e përgjithmonë, shkruan gazeta. [a.v.]

XS
SM
MD
LG