Ndërlidhjet

Haga liron përkohësisht dy serbë të akuzuar për krime lufte


Franko Simatoviq dhe Jovica Stanishiq
Franko Simatoviq dhe Jovica Stanishiq

Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi, ka marrë sot vendim për lirimin e përkohshëm të dy zyrtarëve të lartë serbë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Ata janë liruar në kohën kur janë duke e pritur rigjykimin për krimet e luftës, të cilat akuzohen se i kanë bërë gjatë luftërave në Ballkan, në vitet e 90-ta.

Gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICTY) kanë shfaqur shpresën se Jovica Stanishiq dhe zëvendësi i tij Franko Simatoviq, që të dytë nga 65 vjeç, “do të paraqiten në gjykim” edhe pas vendimit për lirim të përkohshëm.

Gjykata me bazë në Hagë, gjatë javës së kaluar e ka refuzuar vendimin mbi pafajësinë e dy zyrtarëve serb. Ata ishin shpallur të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit në Bosnje dhe Kroaci ndërsa pas vendimit të javës së kaluar, lënda është kthyer në rigjykim.

Më shumë se 100 mijë njerëz kanë vdekur dhe miliona të tjerë kanë mbetur të pastrehë gjatë konfliktit në Bosnje në vitet 1992-1995.

Gjyqtarët e apelit në Hagë thanë se gjyqtarët e shkallës së parë në procesin kundër Stanishiq dhe Simatoviq, kanë gabuar në disa pika.

Pesë gjyqtarë të apelit kanë vendosur që vendimi të mos ndryshohet, por kanë urdhëruar rigjykim të rastit.

Të dy burrat pritet të merren nga qendra e paraburgimit në Hagë e të dërgohen në aeroport, prej nga do të dërgohen në Beograd dhe do të dorëzohen tek autoritetet serbe.

Dy burrat e kanë të ndaluar që të largohen nga kryeqyteti serb. Me vendimin e gjyqtarëve të Hagës, atyre duhet t’iu konfiskohen dokumentet e udhëtimit dhe në baza ditore janë të obliguar që të paraqiten në policinë serbe.

Stanishiq dhe Simatoviq e kanë të ndaluar komunikimin me dëshmitarët dhe me mediat.

Gjykata i ka urdhëruar mjekët e njësisë së paraburgimit që një herë në javë të bisedojnë në telefon me Stanishiq për shkak të problemeve të tij shëndetësore.

Prokurorët e Hagës të cilët e kanë kërkuar burgimin e përjetshëm për dy serbët e akuzuar, pohojnë se Jovica Stanishiq dhe zëvendësi i tij Franko Simatoviq, ishin pjesë e një grupi të përbashkët kriminal në të cilin grup ishte edhe Mollosheviqi dhe udhëheqësi i serbëve në Bosnje, Radovan Karaxhiq.

Sllobodan Millosheviq ka vdekur në vitin 2006, teksa po mbahej në paraburgim në Hagë derisa Radovan Karaxhiq po përballet në Hagë me akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

XS
SM
MD
LG