Ndërlidhjet

Partitë përplasen për letërnjoftimet false


Partitë politike në Maqedoni kanë vazhduar me akuzat lidhur me skandalin e fundit mbi letërnjoftimet false, pjesë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, e që së fundi është publikuar edhe nga javorja maqedonase “Fokus“, e cila ka dorëzuar në polici 105 letërnjoftime të tilla.

Ato ishin dorëzuar në këtë gazetë nga një person anonim, i cili pretendon se ekzisojnë rreth 30 mijë letërnjoftime të tilla, me emrat e shtetasve të Maqedonisë, që kryesisht jetojnë jashtë vendit.

Letënjoftimet e tilla besohet të jenë përdorur në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat nuk njihen nga opozita, me arsyetimin e, siç thuhet, “falsifikimit të tyre nga partitë në pushtet“.

Opozita disa herë ka kërkuar hetimin e këtij skandali, kërkesë kjo që në vazhdimësi ishte heshtur.

Por, rasti ka marrë intensitet vetëm pas emërimit të Oliver Spasovskit nga LSDM-ja opozitare për ministër të Punëve të Brendshme, në kuadër të qeverisë kalimtare.

Por, tani është VMRO-ja e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ajo që doli me kërkesën e vazhdueshme për hetimin e aferës.

Kjo zgjati deri në ditën e zbulimit të një punëtorie për falsifikim dokumentesh në Shkup.

Gjatë këtij aksioni janë zbuluar disa materiale që besohet të jenë përdorur për falsifikim dokumentesh, por personat e dyshuar janë lënë të lirë nga prokuroria që edhe më shumë e ka ndërlikuar hetimin.

Nga VMRO-ja thonë se personat e ndaluar janë njerëz të afërt me opozitën, të cilën edhe e akuzojnë për skandalin.

“Ekzistojnë indikacione serioze se LSDM-ja ka marrë pjesë në fabrikimin e aferave, ashtu siç ekzistojnë informacione serioze se bisedat e përgjuara telefonike të siguruara në mënyrë të paligjshme u janë dhënë personave me dosje kriminale“, thuhet në reagimin e VMRO-së.

Por, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka thënë se akuzat e tilla bëhen me qëllim të shpërqëndrimit të vëmendjes nga skandali dhe dyshimet për përfshirjen së institucioneve të caktuara,

“Ju kujtoj që t'i kushtoni vëmendje fakteve të pamohushme të datave të dhënies së këtyre letërnjoftimeve false, nga viti 2009 deri në vitin 2014. Nuk mund t'i iket faktit se janë keqpërdorur identitetet e qytetarëve të Maqedonisë".

"Vetëm intsitucionet shtetërore i posedojnë të dhënat e tilla, dhe askush tjetër. Kjo flet për dyshimet lidhur me keqpërdorimin e mundshëm të institucioneve të caktuara. Për këtë përgjigje duhet të japin organet e hetuesisë“, ka deklaruar kreu i Ministrisë së Brendshme duke përjashtuar çdo mundësi të lidhjes së tij me personat e ndaluar gjatë aksionit të fundit.

Ai ka thënë se pushteti i Gruevskit nuk zgjedh mjete që aferat ku është vet i përfshirë t'ia vesh opozitës që është absurde, në veçanti për rastin e fundit, të periudhës së qeverisjes së Gruevskit.

Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se bëhet fjalë për skandal të tmerrshëm, por që mund të mbetet në hije, apo të humb në peshë për shkak të akuzave mes partive të cilat duhet të presin hetimin nga organet kompetente.

“Është mëse e qartë se partitë në përgjithësi kanë ndikim në punën e MPB-së, të prukurorisë, të gjykatave dhe ky hetim tani mund të vihet të pikëpyetje për shkak të akuzave partiake. Sikur edhe të pastrohet rasti, mendoj se rezultati nuk do të pranohet".

"Mendoj se është shumë me rëndësi që partitë ti japin fund akuzave dhe të krijojnë kushtet për hetimin e këtij skandali nga organet kompetente“, ka deklaruar Pavle Trajanov, ish ministër i Punëve të Brendshme dhe njohës i çështjeve të sigurisë.

Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se skandali me letërnjoftimet false është aq i madh, por që fatkeqësisht do të përfundojë sikur edhe skandalet tjera.

“Po të ndodhte në ndonjë shtet tjetër me siguri se do hapej një tribunal i veçantë për këtë rast. Është një fatkeqësi që dëshmon se në Maqedoni asnjehërë drejtësia nuk ka dalë në sipërfaqe. Vet hedhja e fajësisë të tjerëve e huton edhe më shumë opinionin se sa vet autorët e krimit. Në këtë rast partitë politike sillen me papërgjegjësi të madhe duke marrë edhe rolin e ligjëvënësit, të ekzekutivit dhe të gjyqësorit. Kjo thjesht është një turp i madh“, thotë Selmani.

Skandali me letërnjoftimet false vjen në kohën e hetimit të aferës së përgjimeve dhe marrjes në pyetje të personave të dyshuar në komisionin anketues parlamentar, por edhe të ngecjes së bisedimeve mes partive, sa i përket zbatimit të pikave tjera të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakoshme parlamentare, në prill të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG