Ndërlidhjet

logo-print

Lufta e humbur kundër ekonomisë së paligjshme


Ilustrim ©Shutterstock

Ilustrim ©Shutterstock

Institucionet e Kosovës kanë dështuar në luftimin e ekonomisë joformale gjatë vitit2015, vlerësojnë përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe pronarë të bizneseve.

Ata tregojnë se kjo dukuri po vazhdon të jetë mjaft prezente në ekonominë e vendit dhe si e tillë, ka dëmtuar jashtëzakonisht bizneset formale.

Në vitin 2014, institucionet ndërkombëtare financiare dhe vetë Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës, kishin vlerësuar se ekonomia joligjore në Kosovë është 34.4 për qind, që përkthyer në shifra, 450 milionë euro në vit janë taksa të pambledhura për buxhetin e Kosovës.

Ekonomia e paligjshme në Kosovë, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, ka shënuar rritje gjatë këtij viti.

“Sipas hulumtime tona, në vitin e kaluar ekonomia formale kishte shënuar rritje krahasuar me një vit më parë, edhe tani ekonomia joformale nga 35 për qind sa ishte në vitin e kaluar, në këtë vit është rritur në 38 për qind. Këtu janë miliona euro të buxhetit të konsoliduar të Kosovës, të cilat humbin si pasojë e ekonomisë së paligjshme”, thekson Shahini.

Përveç buxhetit të Kosovës, i cili pëson humbje të mëdha nga ekonomia joformale, një dëm i madh u shkaktohet edhe bizneseve.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se bizneset e rregullta janë duke u dëmtuar nga bizneset joformale.

“Tani e 16 vjet nuk është bërë mjaft në luftimin e ekonomisë joformale dhe e gjithë kjo dëmton bizneset formale, sepse ne paguajmë me qindra e mijëra euro në buxhetin e Kosovës, si dhe në raport me bizneset joformale, ne nuk arrijmë të jemi konkurrentë në treg”, thekson Palushi.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, kishte treguar për Radion Evropa e Lirë, se gjatë këtij viti kishin ndërmarrë veprime me të cilat kishin arritur ta zbusin nivelin e ekonomisë jo formale.

Hoti kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij viti ka pasur rritje të të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës, gjë që sipas tij, tregon se ekonomia e paligjshme ka shënuar rënie.

Ministri Hoti ka thënë se po krijojnë nxitje të ndryshme që bizneset ta gjejnë veten më mirë që të operojnë në sektorin formal.

Ai ka treguar se nga Fondi për garantimin e kredive i cili do të fillojë së shpejti të zbatohet do të përftojnë vetëm bizneset formale që kanë historik të mirë të pasqyrave financiare.

Sidoqoftë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini konsideron se ekonomia e paligjshme në Kosovë, është duke e shkaktuar moskontrolli i duhur i pikave kufitare nga autoritetet e vendit si dhe bashkëpunimi i bizneseve joformale me autoritetet kompetente.

“Ekonominë joformale në disa raste e kanë ndihmuar edhe inspektorët doganorë. Gjithmonë informaliteti dhe korrupsioni kërkojnë palë të interesit dhe këtu kontrabandistët kanë gjetur njerëz të autoriteteve kompetente”, thotë Shahini.

Nga janari i këtij viti e deri në muajin maj, Doganat e Kosovës kishin hapur rreth 19 raste disiplinore me rreth 40 zyrtarë të dyshuar për shkelje të procedurave doganore.

Rastet kishin të bënin me korrupsion, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të ndryshme të Rregullores së Punës së Doganave dhe shkelje tjera ligjore.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG