Ndërlidhjet

Gjuriq: Për Beogradin vlen marrëshja e 25 gushtit mbi Asociacionin


Marko Gjuriq
Marko Gjuriq

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Beogradi pret që marrëveshja mbi Asociacionin për komunat e banuara me shumicë serbe, e arritur në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015, të zbatohet në tërësi.

Për Serbinë, ka thënë ai, e vlefshme është vetëm marrëveshja e 25 gushtit.

“Presim dhe kërkojmë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Gjuriq, për televizionin shtetëror serb, RTS, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, që pa zvarritje, të sigurojë zbatueshmërinë e kësaj marrëveshjeje.

“Ne nuk na ka pyetur askush as kur është miratuar ajo kushtetutë krahinore; kjo është arsyeja pse ne sot bisedojmë në Bruksel dhe mendoj se respektimi i marrëveshjes së Brukselit është e vetmja mënyrë për të vazhduar me normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Gjuriq.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, në vendimin e Gjykatës është konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, përkatësisht kapitujt që kanë të bëjnë me barazinë para ligjit, me të drejtat dhe liritë themelore, si dhe me të drejtat e komuniteteve dhe pjesetarëve të tyre.

XS
SM
MD
LG