Ndërlidhjet

Mustafa: Do të vazhdojmë, sipas udhëzimeve të Gjykatës


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka "rikonfirmuar edhe një herë se negociatat e zhvilluara dhe të gjitha veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të ndërmarra deri më tani, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, janë detyrim dhe kanë mbështetje në nenin 19 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës - mbi zbatimin e së drejtës ndërkombëtare".

“Ne tani do të vazhdojmë, ashtu siç ka udhëzuar gjykata Kushtetuese, me dekretin e qeverisë, i cili do t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese, me statutin mbi të cilin ne kemi interes që të kemi përfaqësues dhe ekspertë ndërkombëtarë, ekspertë të brendshëm dhe nga opozita”, ka thënë zoti Mustafa, në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar të enjten në Prishtinë.

“Qeveria siguron se i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese, të paraqitura në arsyetimin e Aktgjykimit”, ka thënë ai.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha të mërkurën se pjesë të Marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Duke i bërë thirrje gjithë spektrit politik për respektimin e vendimit të Kushtetueses, zoti Mustafa tha se pas kësaj, “nuk ka asnjë arsye të mëtutjeshme për bllokim të punës së Kuvendit, nuk ka asnjë arsye të mëtutjeshme për protesta në rrugë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë”.

Partitë politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e kanë cilësuar si kundër-kushtetuese marrëveshjen dhe në kërkim të shfuqizimit të saj, kanë bllokuar prej rreth tre muajsh punimet në Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG