Ndërlidhjet

SHBA: Administrata dhe Kongresi – mospajtime për Iranin

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka synuar përsëri ta sigurojë Iranin, se Shtëpia e Bardhë mund ta tërheqë kërkesën lidhur me viza, e cila i ka zemëruar iranianët, por kjo ka hasur në reagim të ashpër nga liderët republikanë në Kongres.

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, është ankuar se kufizimet e vizave janë në kundërshtim me parimet e marrëveshjes bërthamore të muajit korrik, që synon tërheqjen e sanksioneve ekonomike dhe kufizimet në udhëtime për pjesën më të madhe të iranianëve, në këmbim për kufizimin e aktiviteteve atomike të Iranit.

Legjislacioni i ri amerikan i ashpërson kufizimet për udhëtim në Shtetet e Bashkuara, për banorët e 38 vendeve, shumica prej tyre evropiane, shtetasit e të cilave kualifikohen për Programin Visa Waiver të Shteteve të Bashkuara, pasi i plotësojnë kërkesat strikte.

Banorët e këtyre shteteve, në rast se në pesë vitet e fundit kanë udhëtuar drejt Irakut, Iranit, Sirisë dhe Sudanit, për të hyrë në SHBA, duhet të pajisen me vizë.

Liderët iranianë, me mbështetje edhe nga disa në Bashkimin Evropian, i kundërshtojnë rregullat e reja, duke thënë se ato do t’i frikësojnë investitorët potencialë në Iran dhe turistët nga Shtetet e Bashkuara, të cilët në të ardhmen do të duhet të pajisen viza.

Para disa ditësh, në një letër dërguar ministrit Zarif, sekretari Kerry ka shkruar se Shtetet e Bashkuara mund të inkurajojnë këmbime ekonomike, duke dhënë viza afatgjate biznesore për investitorët dhe biznesmenët, që udhëtojnë shpesh në Iran.

“Jam i vetëdijshëm se ndryshimet aktuale në kërkesat për viza të miratuara në Kongres, për të cilat administrata ka autoritet t’i tërheq, në asnjë mënyrë nuk do të na parandalojnë ne nga plotësimi i përkushtimeve nga marrëveshja atomike”, tha thënë John Kerry.

Ai ka theksuar se “ne kemi një numër të mjeteve potenciale, me të cilat disponojmë, përfshirë vizat për hyrje dhjetëvjeçare biznesore, programe për përshpejtimin e vizave biznesore, dhe autoritet për heqje dorë nga parimet që parashihet në legjislacionin e ri”.

Por, shpjegimet e zotit Kerry për Iranin kanë shkaktuar kundërshtime të ashpra në Kongresin amerikan, derisa liderët republikanë kanë insistuar që kërkesat e reja për viza duhet të respektohen në mënyrë të plotë.

Ata thonë se legjislacioni lejon tërheqje të kërkesës për viza vetëm për udhëtime të zyrtarëve ushtarakë dhe qeveritarë në Iran, dhe për tri vende të tjera, Irak, Siri dhe Sudan, por jo për udhëtime biznesore.

Këshilltarët republikanë thanë se Departamenti i sigurisë së brendshme ka synuar përjashtim të bizneseve në negociatat për këtë legjislacion, por ligjvënësit e kanë refuzuar kërkesën.

“Ne jemi thellë të shqetësuar se përdorimi i qëllimshëm i nivelit të ulët të autoritetit për tërheqje, do të injorohet”, kanë shkruar, Kevin McCarthy, lider i shumicës në Dhomën Përfaqësuese, Ed Royce, kryesues i Komitetit për punë të jashtme të Dhomës Përfaqësuese, dhe liderët e tjerë republikanë, në një letër për administratën e presidentit, Barack Obama.

“Kjo letër shërben për ta larguar çfarëdo mendimi se synimi kongresional do të lejojë shfrytëzimin e autoritetit të tërheqjes për udhëtime biznesore”, kanë shkruar liderët republikanë.

Veçanërisht, zoti McCarthy ka theksuar se “në vend që të shkatërrohet synimi kongresional lidhur me programin për viza, Shtëpia e Bardhë do të duhej të fokusohej në shkeljet e përsëritura të Iranit të ndalesave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për prova raketore”.

McCarthy konsideron se “jogatishmëria e Iranit për t’i respektuar këto marrëveshje ndërkombëtare, duhet të jetë flamur i kuq se marrëveshja atomike për Iranin nuk vlen as sa letra në të cilën është shkruar”.

Duke pasur parasysh qëndrimin e ashpër të republikanëve, që unanimisht e kanë kundërshtuar marrëveshjen atomike, liderët iranianë dhe disa aktivistë iraniano- amerikanë, e kanë shtruar pyetjen nëse kufizimet për udhëtime në Iran janë mënyrë e heshtur e tyre për ta sabotuar marrëveshjen atomike.

Iranianët theksojnë se shtetasit e tyre nuk ishin të involvuar as në sulmin terrorist në Paris e as në atë në Kaliforni, që e kanë nxitur kalimin e legjislacionit të ri javën e kaluar dhe argumentojnë se njerëzit që ishin shtetas të Arabisë Saudite dhe Pakistanit, ose ata që kishin udhëtuar atje, ishin të përfshirë në sulme dhe në incidente të mëparshme, siç është edhe sulmi terrorist më 11 shtator 2001, por ata nuk janë subjekt i kufizimeve të reja për viza. [f.bujupi]

XS
SM
MD
LG