Ndërlidhjet

Krishtlindje me kritika për politikanët dhe mirënjohje për bashkëjetesë fetare


Lutja për Krishtlindje është që të gjithë njerëzit t'i përngjajnë sado pak Nënës Terezë, u tha në meshën kryesore të Krishtlindjes, e cila është mbajtur mbrëmë në katedralen Nëna Terezë në Prishtinë.

Meshën e ka udhëhequr Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, i cili ka theksuar se dhurata më e madhe dhe më e mirë e Zotit për Krishtlindje, është vendimi i Papa Françeskut që Nëna Terezë, nga viti i ardhshëm, do të jetë e shenjtë.

“Viti i ardhshëm që është vit i mëshirës, do të jetë vit hiri për të gjithë botën, e sidomos për popullin tonë, sepse jo vetëm ne, që lutemi shqip, por tani edhe qielli shqip do të flasë, shqip do t'i lutet Zotit”.

Ipeshkvi Dodë Gjergji ka theksuar se po t’i përngjanin njerëzit sado pak Nënës Terezë, në Kosovë do të kishte më shumë dashuri, përgjegjësi qytetare, mirëkuptim mes njerëzve, barazi dhe respekt për njëri tjetrin.

“Jo vetëm aq, por do të ishte ndryshe, shumëçka. Të varfërit nuk do të përbuzeshin me një ndihmë sociale që më shumë i poshtëron se u ndihmon. Të sëmurët, me sëmundje të rënda, nuk do të bridhnin skajeve të botës për të gjetur shërimin".

"Djemtë dhe vajzat e popullit tonë, nuk do t’i hapnin zemrat e tyre për urrejtjen dhe nuk do të shkonin në luftërat e huaja”, ka thënë ipeshkvi Dodë Gjergji.

Duke u ndërlidhur me zhvillimet e muajve të fundit në skenën politike në Kosovë, ipeshkvi Dodë Gjergji ka dërguar kritika të ashpra në adresë të politikanëve, liderëve politikë dhe institucional.

Ai ka theksuar se qytetarët nuk mund të ndjehen mirë kur shohin se si keqpërdoret liria, duke u marrë vetëm si privilegj i disave dhe jo si e mirë e të gjithëve, por edhe si keq-ndërtohet paqja me logjikën e konfliktit.

“Shohim se si përgjegjësit e bashkësisë politike, në garën e tyre për të marrë ose për të mbrojtur pushtetin, shkelin kodin e marrëdhënies në përgjithësi. Kjo mënyrë i ka tejkaluar kufijtë e demokracisë, duke përdorur forma të papranueshme në shfrytëzimin e të drejtës për të kundërshtuar".

"Mirëpo, edhe përdorimi i muskujve të shtetit, para forcës së arsyes, e tej-forcon pushtetin dhe i ngurtëson mendjet dhe zemrat e atyre që u është dhënë e drejta për ta përdorur. Ecja në këtë drejtim nuk çon askund”, është shprehur ipeshkvi Dodë Gjergji.

Ai ka shtuar se pa dialog, pa mirëkuptim dhe pa pajtim, nuk ka të ardhme për askënd në Kosovë, ndërkaq, pa mbrojtjen e kulturës qytetëruese të të parëve, nuk ka të ardhme as kombi.

Në katedralen Nëna Terezë në Prishtinë, meshën e Krishtlindjes e kanë ndjekur qindra qytetarë të besimit katolik.

Por, në meshë kanë shkuar edhe qytetarë tjerë, shqiptarë të besimit mysliman, për t'i uruar bashkëkombësit e tyre dhe për ta festuar së bashku.

Prenk Buzhala, thotë se i takon besimit katolik, por festën e Krishtlindjeve e feston së bashku me, siç i quan ai, vëllezërit e gjakut, por që janë mysliman.

“Faleminderit Zotit, këtu në Kosovë është një bujari, një mençuri, për çdokënd, të besimit të Krishterë apo të fesë së myslimane. Të gjithë jemi si vëllezër dhe i festojmë si pashkët, si Krishtlindjet, si bajramin, të gjitha festat, së bashku”.

Agron Beka, thotë se i takon besimit islam, por në katedralen Nëna Terezë, kishte shkuar t’i urojë, siç tha ai, vëllezërit e tij katolik.

“Krejt vëllezërit tonë katolik e festojnë dhe normalisht që festojmë edhe ne. Sikurse ata që e festojnë Bajramin me ne, edhe ne i festojmë Krishtlindjet. Është natë që bashkon. Unë kam shkuar edhe në Vatikan dhe në kishat më të mëdha të botës, kështu që, pse jo edhe në kishën tonë”.

Isuf Ibërdemaj, që po ashtu ishte prezent në meshën e Krishtlindjeve, tha se në këtë festë nuk dëshiron të prezantojë përkatësinë fetare.

“A ka mundësi që me qenë vetëm Jusuf. Babai e ka emrin Mustafë, e babai i babait Ibish. Katragjyshi i Ibishit e ka pasur emrin Gjon Papaj. Prandaj, konsideroj që kjo është shtëpia e atij Gjonit të Papajve që ka qenë paraardhësi i im jo shumë kaherë. Mesazhi im është që ta dojë njeriu-njeriun”.

Andrea Lekaj, e besimit katolik, thotë se të festuarit e Krishtlindjes, bashkërisht dhe pavarësisht përkatësisë fetare, është mesazh i shqiptarëve në përgjithësi.

“Kjo thotë që dashuria nuk njeh gjini, nuk njeh fe tjetër si dallim, nuk njeh asnjë aspekt ose dallim tjetër njerëzor. Dashuria është për të gjithë dhe sa më shumë që shpërndahet aq më e madhe është”.

Krishtlindja u shënua edhe në qendrat tjera në Kosovë, duke u mbajtur mesha në Kishat Katolike.

Pas meshës, festa është bartur nëpër shtëpi, si dhe lokale, ku tashmë është bërë traditë që të rinjtë, së bashku, të festojnë deri në orët e para të mëngjesit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG