Ndërlidhjet

Politikë, komedi e satirë, nën gazin lotsjellës


17 nëntor, 2015

17 nëntor, 2015

Thonë se kush punon, edhe gabon. Në përmbledhjen e gafeve në politikë gjatë vitit 2015, kemi përzgjedhur dy prapaskena të zhvillimeve – ato të tensioneve dhe përplasjeve në Kuvendin e Kosovës dhe anën humoristike e satirike.

Muajt e fundit të vitit 2015, tensionet në Kuvendin e Kosovës prodhuan skena nga më të ndryshmet, e të cilat në shumë raste nuk ishin aspak të këndshme.

Në momentin kur sigurimi rrethoi foltoren e Kuvendit, deputetët e kishin të vështirë ta dallonin se kush qëndronte ulur në pjesën e sipërme të sallës.

Një paqartësi të tillë, kishte edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sado që për të, kolegët nga pushteti pohonin se atë natë "ishte nën ndikimin e alkoolit".

Me futjen e sigurimit, Kuvendi u pasurua, të paktën për nga numri. Pasi që e zbuloi vendin se ku ndodhet kryekuvendari, Ramush Haradinaj deshi ta dijë se kush ishin kolegët e tij të rinj.

Kuvendit, nuk i mungoi gazi lotsjellës, nuk i munguan vezët, nuk i munguan hedhje me shishe uji, me gota, e as fishkëllimat. Por, nuk i munguan as fyerjet.

Nëse i drejtohesh kryekuvendarit Kadri Veseli me një akuzë, siç bëri deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, si kundërpërgjigje mund të marrësh një fyerje.

Edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili mendon se Veseli i ka shumë borxhe Kosovës. E ky i fundit shpreh gatishmërinë t’ia paguajë atij dhe Kosovës borxhin, me kushtin që Ismaili të mos bërtasë më.

"Dallimet politike, nuk duhet të shërbejnë për hidhërime e inate", ishte porosia e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa me një gjuhë të ngatërruar.

Gazi lotsjellës nuk ishte i pranishëm vetëm në Kuvendin e Kosovës, por edhe në të gjitha sheshet e Prishtinës, gjatë përplasjeve të policisë dhe protestuesve.

Në ditët e fundit të vitit, këtij gazi iu shtua edhe mjegulla e cila mbuloi Prishtinën.

Në rrjetet sociale, gjithandej u përhap edhe lajmi se Kadri Veselit nuk do t’i pëlqejë aspak kur të zgjohet në mëngjes dhe ta shohë që mjegulla e ka kapluar Prishtinën, duke menduar se mund të jetë gaz lotsjellës.

Më në fund, përkundër shumë telasheve, Veseli tha se do të ndërmerrte masa kundër mjegullës. Puna e tij u lehtësua, pasi që të paktën aty nuk e kishte opozitën.

Në Kuvendin e Kosovës nuk diskutohen vetëm çështjet legjislative e madhore politike. Aty diskutohet edhe për teknologjinë dhe përdorimin e telefonave të mençur.

Por, deputeti i Vetëvendosjes Fisnik Ismaili ka një vërejtje ‘serioze’ se si mund ta përdorë një Iphone, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

Por, Ismet Beqiri i thotë Ismailit se të paktën ai kujdeset për higjienën e duarve dhe gishtave të tij, kështu që Iphone mbetet i pa gërvishur.

Me gjithë përgjigjen e deputetit Beqiri, për Ismailin mbeti dilema se ku duhet t’i mbajnë gishtat deputetët kur i përdorin telefonat e mençur.

Sado që kishte kreativitet te deputetët, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli mund të jetë njeriu më i cituar i vitit.

Por, edhe ai e ka një të dobësi. E ka të vështirë t’i mbajë në mend emrat e njerëzve, si për shembull atë të Arta Ramës, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Dilemave të Kadri Veselit se a është gazetare apo këngëtare Arta Bajrami – kjo e fundit i përgjigjet me një refren nga repertori i saj.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka qenë një protagoniste jo e rrallë e përmbledhjeve mbi gafet gjatë mandatit të saj pesë vjeçar.

As këtë vit nuk do të mungojë, edhe pse është në përmbyllje të mandatit.

Kur i dëgjojmë disa nga mesazhet e ngatërruara të presidentes, sikur na kujtohen ato vitet e ’90-ta, kur të gjithë dëgjonin lajmet dhe në fund, kur prezantuesi ç’lajmëronte programin, njerëzit pyesnin – çka tha?!

Krejt për fund, ju ftojmë të relaksohemi me recitimin e shkrimtarit dhe kritikut letrar, Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Rimat e përdorura mbase mund të përdoren për ndonjë këngë në R’n’B.

Me këtë recitim plotë rima, ndonëse paksa të ç'akorduara, po e përmbyllim edhe këtë përmbledhje të gafeve politike për vitin 2015.

Siç do të shpreheshin politikanët, ‘besojmë fuqishëm’ që edhe në vitin 2016 do të vazhdojë një seri e njëjtë, por pa gaz lotsjellës dhe, pse jo, pa mjegull.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG