Ndërlidhjet

Kosovë: Pritjet e përsëritura, vit pas viti


Është bërë zakon që çdo fundvit, qytetarët të anketohen për pritjet e tyre për vitin e ri. Në Kosovë, pritjet e tyre ndër vite nuk dallojnë shumë. Zakonisht ato kanë të bëjnë me punësimin, liberalizimin e vizave, zhvilimin ekonomik dhe të ngjashme.

Këtë vit, kemi anketuar disa qytetarë në Prishtinë, për të parë sa dallojnë pritjet e tyre nga viti në vit.

Kastriot Ismajli, student i Fakultetit Ekonomik thotë se megjithë stagnimet, ndjen optimizëm se situate e përgjithshme në Kosovë do të përmirësohet së shpejti.

‘’Po qe 15 vjet po na përsëriten kërkesat. Po presim punësim çdo ditë, edhe çdo vjet. Unë personalisht kërkoj ta gjej një punë, në profesionin tim. Shpresoj që ta gjej, por mendoj që është shumë e vështirë. Shpresat nuk i ka humbur dhe nuk do ti humb asnjëherë, por jam i zhgënjyer’’.

Studentja e Fakultetit Juridik, Arlinda Gashi, ka thënë se ka shumë vjet që edhe ajo kërkon punë, dhe shpreson që në vitin 2016 dëshira e saj të plotësohet...

‘’Kërkesa ime është punësimi im. Gjithashtu shpresoj që do të ketë më pak korupsion, më shumë zhvillim ekonomik, drejtësi më të mirë. Ndalimi i vrasjeve që po bëhen çdo ditë. Shpresoj që viti 2016 do të sjellë rregull në Parlament, unë jam shumë e zhgënjyer me ata deputetë”.

Adem Krasniqi është 23 vjeçar dhe është student i Fakultetit Juridik në Universitetin Hasan Prishtina. Ai duket pesimist...

‘’Nuk presim kurgjë prej vitit të ardhshëm. Gjitha proceset janë në vazhdim e sipër. Kuvendi është bllokuar, partitë politike vetëm interesin e tyre po e shikojnë. Asgjë nuk presim, përveç një viti të ri’’.

Labinot Morina, studion ekonominë në Departamentin e Financave. Ai kërkon nga institutcionet që të fokusohen më shumë në cilësi të arsimit…

‘’Mendoj se studimet dhe cilësia e arsimit janë prioritare për mua, pasi jam student. Sa u përket zhvillimeve tjera,si qytetar i këtij vendi pres që në vitin tjetër të ecim përpara. Si qytetar kam shpresë për më mirë. Shpresoj për vendet e reja të punës, sidomos në sektorin privat.’’

Mal Sadiku është hendbollist dhe tingëllon më optimist. Ai thotë se këtë vit ka pasur një përmirësim në këtë fushë

“Unë jam hendbollist dhe për ne këtë vit ka pasur lëvizje pozitive. Ligji për sportin ëhtë miratuar. Shpresoj që të ardhurat tona si sportistë të rriten’’.

XS
SM
MD
LG