Ndërlidhjet

Turqi: Erdogani e shpëtoi një person nga vetëvrasja


Pamje e Erdoganit duke folur me personin që synonte të bënte vetëvrasje
Pamje e Erdoganit duke folur me personin që synonte të bënte vetëvrasje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka shfrytëzuar retorikën e tij të njohur për ta shpëtuar jetën e një personi, pasi ia mbushi mendjen që të mos bënte vetëvrasje duke kërcyer nga Ura e Bosforit në Stamboll.

Personi, qartas, ishte i përgatitur për të bërë vetëvrasje duke kërcyer, kur Erdogani e ndali konvojin e tij , që kalonte nëpër urë, e cila e lidhë pjesën evropiane dhe atë aziatike të Turqisë.

Fotografitë e publikuara tregonin se si truprojet e Erdoganit i mundësuan presidentit që përmes dritases së veturës të fliste me njeriun, që dukej se ishte në të 30-tat. Pas disa momentesh, personi shihej duke ia puthur dorën Erdoganit, transmeton AFP, duke u mbështetur në agjencinë turke të lajmeve, Dogan.

Raportohet se policia ishte përpjekur për gati dy orë të bisedoj me vetëvrasësin potencial, pasi ai ishte larguar nga vetura e tij dhe kishte hipur në parmakët e urës.

Agjencia Dogan raportoi se ai për një kohë të gjatë kishte vuajtur nga depresioni për shkak të problemeve familjare.

Ura e njohur në Bosfor, që kalon në lartësinë prej 64 metrash, shpeshherë është skenë e vetëvrasjeve.

XS
SM
MD
LG