Ndërlidhjet

Fluksi i migrantëve, “pushtim i organizuar” i Evropës


Milosh Zeman (Foto nga arkivi)
Milosh Zeman (Foto nga arkivi)

Presidenti i Republikës Çeke, Millosh Zeman, ka thënë se fluksi i migrantëve që kanë ardhur në Evropë këtë vit, është një “pushtim i organizuar” .

“Jam thellësisht i bindur se kjo që po ndodh, është një pushtim i organizuar dhe jo një lëvizje spontane e refugjatëve”, ka thënë Zeman në mesazhin e tij televiziv për Krishtlindje.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim kanë thënë se mbi një milion migrantë dhe refugjatë kanë arritur këtë vit në Evropë, shumica e tyre të ikur nga konfliktet në Siri dhe Irak.

Shtetet e Evropës qendrore, në mesin e tyre Çekia, Sllovakia, Hungaria dhe Rumania, kanë kundërshtuar planin e Bashkimit Evropian për shpërndarjen e migrantëve nëpër shtetet anëtare, në bazë të sistemit me kuota.

“Një shumicë e madhe e migrantëve të paligjshëm janë burra të rinj dhe të shëndetshëm, pa familje. Pyes veten se përse këta njerëz nuk i marrin armët dhe nuk luftojnë për lirinë e vendeve të tyre kundër Shtetit Islamik. Ikja e tyre objektivisht fuqizon Shtetin Islamik”, ka thënë Zeman.

Ai e ka cilësuar valën e migrimit si “njollë të errët” të politikës së jashtme evropiane.

“Në përfundim të mesazhit tim të Krishtlindjeve, dua të ndaj me ju dy deklarata të qarta: ky shtet është i yni dhe ky shtet nuk është dhe nuk mund të jetë për të gjithë”, ka thënë Zeman.

Presidenti çek ka shkaktuar kritika të ashpra në muajin nëntor, kur ka marrë pjesë në një tubim në Pragë kundër Islamit.

Kryeministri i Çekisë, Bohuslav Sobotka, ka thënë se komentet e Zemanit bazohen në “paragjykime dhe në thjeshtëzimin e zakonshëm të gjërave”.

Një sondazh i kryer nga Qendra për Hulumtimin e Opinionit Publik në Çeki ka treguar se gjysma e çekëve janë kundër pranimit të refugjatëve nga zonat e luftës.

Sipas rezultateve të publikuara në muajin tetor, 50 për qind e të anketuarve kanë kundërshtuar pranimin e refugjatëve, 40 për qind kanë mbështetur pranimin e tyre vetëm deri në kohën kur mund të kthehen në shtëpi, ndërsa vetëm 4 për qind kanë përkrahur pranimin e refugjatëve përgjithmonë.

Këtë javë, nëntëmbëdhjetë migrantë, përfshirë gjashtë fëmijë, janë mbytur në det pranë qytetit Izmir të Turqisë.

Ata kanë qenë duke udhëtuar drejt ishullit grek Lesbos, kur anija e tyre prej druri është përmbytur nga valët e mëdha në Detin Egje.

Sipas shifrave zyrtare, 3,692 njerëz janë mbytur këtë vit në përpjekje për të arritur Evropën.

Pavarësisht motit të ftohtë, eksodi vazhdon, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë.

Turqia ka arritur një marrëveshje me Bashkimin Evropian në muajin nëntor, duke u zotuar se do të ndihmojë frenimin e fluksit të migrantëve drejt Evropës, në këmbim të ndihmës financiare prej 3.3 miliardë dollarësh për 2.2 milionë refugjatët sirianë që ndodhen në Turqi.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, UNHCR, ka vlerësuar se së paku gjysma e refugjatëve në Evropë janë nga Siria.

Lufta në këtë vend ka nisur qysh në vitin 2011. Mbi 250,000 veta janë vrarë, miliona të tjerë janë zhvendosur. Një rreth i ri i bisedimeve për paqe në Siri pritet të zhvillohet në muajin janar në Gjenevë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG