Ndërlidhjet

logo-print

Shtohen masat e sigurisë në Kosovë


Ilustrim, foto arkivi

Ilustrim, foto arkivi

Me rastin e festave të fundvitit autoritetet e rendit në Kosovë, thonë se kanë rritur masat e sigurisë dhe kanë shtuar numrin e kontrolleve.

“Për sa i përket aspektit të sigurisë së përgjithshme në vend, Policia e Kosovës me kohë ka marrë masa shtesë, por edhe për festat e fundvitit ka hartuar plan të veçantë, i cili ka për qëllim shtimin e pranisë policore dhe ndërmarrjen e masave të sigurisë për parandalimin e çdo incidenti të mundshëm, duke përfshirë edhe sulmet e mundshme terroriste”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, në Kosovë konsiderojnë se kërcënimet, të cilat vijnë nga grupit militant, Shteti Islamik, duhet te merren seriozisht, duke patur parasysh sulmet e fundit në vende të ndryshme të Evropës.

Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet e rendit në Kosovë, planet që i kanë për sigurinë e përgjithshme, duhet t’i specifikojnë.

“Masat duhet të specifikohen më gjatë dhe normalisht, këto masa të jenë më afër publikut, jo vetëm të jetë një përgjegjësi e zyrtarëve të autorizuar, qoftë policorë, të inteligjencës apo edhe të sektorëve të tjerë të sigurisë”.

“Edhe qytetarët duhet të kenë kujdes që të lajmërojnë rastet e dyshimta. [Policia] duhet t’i paralajmërojë qytetarët që t’u ikin tubimeve, kur mund të ketë pasoja”, tha Ibishi.

Zoti Ibishi thekson domosdoshmërinë e kontrolleve me të mëdha nga ana e Policisë së Kosovës dhe siç tha ai, kontrollet duhet të bëhen në automjetet transportuese dhe në ambiente të ndryshme.

“Mendoj se institucionet apo sektori i sigurisë, duhet të ndërmarrin kontrollet e automjeteve të transportit. Policia i ka autorizimet shumë mirë të specifikuara me ligjin e policisë, por edhe në Kodin e Procedurës Penale”, u shpreh Ibishi.

Ndryshe, Policia në Vjenë të Austrisë ka thënë në fundjavën e kaluar se një “shërbim miqësor i inteligjencës” ka paralajmëruar disa kryeqytete evropiane për mundësinë e sulmeve ose të të shtënave në Evropë përpara Vitit të Ri.

Muajin e kaluar, militantët islamikë kanë kryer sulme në Paris, duke vrarë 130 veta.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, pati deklaruar javën e kaluar se Evropa duhet të rrisë kontrollin e kufijve të saj.

Bashkimi Evropian ka thënë këtë muaj se do të trefishojë shpenzimet për mbrojtjen kufitare dhe se do të krijojë një forcë të re, prej 1,500 trupash, për reagim të shpejtë.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG