Ndërlidhjet

Bosnje: Paraburgim për tetë të arrestuarit për terrorizëm


Ilustrim
Ilustrim

Gjykata shtetërore e Bosnjes e ka caktuar paraburgimin për tetë nga gjithsej njëmbëdhjetë të arrestuarit e javës së kaluar, nën dyshimin se kanë planifikuar akte terroriste gjatë festimeve të Vitit të Ri.

Burrat janë arrestuar më 22 dhjetor gjatë një aksioni policor në Sarajevë ku janë bërë kërkime për 15 të dyshuar që kanë lidhje me Shtetin Islamik.

Prokurori anti-terrorizëm i Bosnjës, Dubravko Çampara, ka thënë të shtunën se grupi ka planifikuar akte terroriste ku do të vriteshin më shumë se 100 persona në kryeqytetin boshnjak.

“Gjykata e ka marrë këtë vendim nga frika se të dyshuarit mund të pengojnë në realizimin e hetimeve, mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe mund të fshehin ose falsifikojnë prova të rëndësishme të këtij hetimi penal”, ka thënë gjykata në një komunikatë të lëshuar sot.

Policia në Bosnje thotë se më shumë se 150 boshnjakë i janë bashkuar gjatë viteve të fundit Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Prej tyre, rreth 50 janë kthyer në Bosnje ndërsa rreth 30 raportohet se kanë vdekur

Lirimi i të dyshuarve, sipas gjykatës, mund të paraqet kërcënim për rendin publik duke pasur parasysh akuzat kundër tyre. Nëse shpallen fajtorë, për akuzat me të cilat ngarkohen aktualisht, ata mund të dënohen me së paku dhjetë vjet burgim.

XS
SM
MD
LG