Ndërlidhjet

logo-print

Politika pengoi zhvillimin ekonomik të Kosovës


Ilustrim

Ilustrim

Pengesa kryesore në zhvillimin ekonomik të Kosovës gjatë vitit që po lëmë pas, sipas përfaqësuesve të biznesit ka qenë kriza politike që ka përcjellë vendin muajve të fundit.

Në një konferencë përmbyllëse për media të Aleancës Kosovare të Biznesit, është theksuar se zhvillimi ekonomik si shtyllë kryesore e një shteti, ka mbetur nën hijen e zhvillimeve politike në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se Kosova po përmbyll një vit jo të mirë në aspektin ekonomik.

“Emocionet politike dhe papërgjegjësia e tyre, vazhdimisht gjatë vitit që po lëmë pas, kanë dërguar mesazhe joperformuese për tregun dhe investitorët në Kosovë. Kjo frikësoi investitorët se në Kosovë po krijohet Gjykata Speciale, për krime të rënda…kurse në anën tjetër Serbia loboi fuqishëm duke promovuar se Kosova është pjesë e saj dhe ndaloi dukshëm njohjet në drejtim të Kosovës”, ka vlerësuar Shahini.

Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti nuk u realizuan pritjet që biznesi dhe qytetarët kishin. Sipas tij, rritja ekonomike nuk e arriti normën që qeveria publikoi, si dhe punësimi ishte dukshëm më i vogël seç pritej.

Derisa, si e arritur gjatë këtij viti, sipas Shahinit mund të vlerësohet vetëm nënshkrimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, në mes kompanisë amerikane dhe Qeverisë së Kosovës në vlerë prej 1 miliard euro, si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Ndryshe, muajve të fundit, në Kosovë është imponuar një situatë ku janë trajtuar dhe debatuar vetëm çështjet politike.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, jo vetëm që kanë bojkotuar, por edhe kanë bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Opozita po kërkon shfuqizimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe, që është nënshkruar në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe më pas edhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin.

Edhe drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se që nga fillimi i mandatit të Qeverisë së Kosovës, të gjithë aktivitetet kanë pasur të bëjnë me çështje politike dhe shumë pak me çështje ekonomike.

“Ajo çka kemi parë këtë vit, debati kryesor politik qoftë në qeveri, qoftë në parlament, qoftë në shoqëri në përgjithësi, është sjellë fillimisht rreth çështjes Jabllanoviq, Gjykatës Speciale, Asociacionit të komunave dhe tani ngërçi politik. Po ashtu shumica e ligjeve që kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës janë të natyrës politike”, shton Demi.

Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pati deklaruar se pavarësisht një agjende shumë të ngjeshur dhe dinamike politike, për asnjë moment nuk janë lëkundur nga prioriteti kryesor i qeverisë që është zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

Ndryshe, gati në të gjitha hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare dhe atyre ndërkombëtare, gjatë këtij viti ishte theksuar se qytetarët e Kosovës problem kryesor e kanë moszhvillimin ekonomik të vendit dhe papunësinë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG