Ndërlidhjet

logo-print

Bartje e krizës politike në vitin 2016


14 dhjetor 2015

14 dhjetor 2015

Bllokada institucionale dhe kriza politike në Kosovë mund të thellohen tutje nëse partitë politike nuk reflektojnë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me parimet e marrëveshjes për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, vlerësojnë analistët politik.

Me vet faktin që Kushtetuesja ka konstatuar se disa parime të kësaj marrëveshje nuk janë në tërësi në harmoni me Kushtetutën, kjo sipas analistëve, do të duhej të shërbente si bazë për vendosjen e dialogut gjithëpërfshirës në mënyrë që Kosova të ndërtojë një qasje të re në raport me dialogun me Serbinë.

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi thotë se arsyet për përplasje ndërmjet opozitës dhe pushtetit kanë pushuar.

Tashmë, sipas tij, është e qartë se ky Asociacion nuk mund të themelohet ashtu siç është paraparë me marrëveshjen që Kosova dhe Serbia nënshkruan më 25 gusht në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

"Ky aktgjykim në thelb e ndryshon atë çfarë është paraparë të krijohet me anë të marrëveshjes. Të gjitha ato tipare të cilat do ta krijonin këtë Asociacion dhe të cilat do të ishin të rrezikshme për funksionalitetin e shtetit të Kosovës, tashmë janë hedhur poshtë dhe nuk mund të krijohet mbi ato baza", ka theksuar Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë obligues për të gjithë, thotë në anën tjetër, analisti Emrush Ujkani.

Megjithatë Ujkani beson se edhe vendimi i Gjykatës nuk e ka qartësuar shumë kushtetutshmërinë e marrëveshjes që Kosova ka nënshkruar me Serbinë.

"Ky vendim nuk është që ka krijuar një bazë të mirë për të sqaruar edhe detajet. Nëse thuhet se marrëveshja devijon në aspektin e parimeve, kur është në pyetje kushtetutshmëria, atëherë shtrohet si pyetje, se si është e mundur që ajo të mos devijoj në përmbajte", ka thënë Ujkani për Radion Evropa e Lirë.

Mungesa e një sqarimi të mirëfillët të kushtetutshmërisë së marrëveshjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese, sipas Ujkanit e ka bërë të pashmangshme bartjen e krizës politike edhe në vitin e ardhshëm.

Dalja nga kjo gjendje, ka theksuar ai, mund të shihet vetëm përmes vendosjes së dialogut politik i cili do të ndërmjetësohej nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

"Nuk është me rëndësi se sa është përqindja e asaj se sa ka devijime nga parimet kushtetuese. Me rëndësi është se ka një devijim dhe kjo i ka dhënë një bazë apo një argument shtesë opozitës dhe ky argument shtesë po radikalizohet në formën e afatizimit të kohëzgjatjes së mandatit të qeverisë. Prandaj, kjo shndërrohet në krizë politike. Andaj, mendoj që kjo krizë duhet të zgjidhet me mjete politike, në një dialog që duhet të ndërmjetësohet nga presidentja", ka deklaruar Ujkani.

Nënshkrimi i një marrëveshjeje që nuk është në harmoni me Kushtetutën, sipas Albert Krasniqit, do të duhej të barte pasoja për stafin që ka shoqëruar kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa në dialogun e Brukselit.

Edhe Krasniqi thotë se në aktgjykimin e Kushtetueses ka përpjekje për balancime politike, në vend se të merren vendime të prera, çka, sipas tij, po shfrytëzohet tani nga pushteti dhe opozita për t'i arsyetuar veprimet e tyre të cilat mund të qojnë në thellim të krizës.

"Është e pritshme që partitë opozitare të provojnë ta kapitalizojnë gjithë këtë proces. Vet procesi i bisedimeve me Serbinë dhe përbërja e delegacionit duhet të rregullohet, duke e formuar një ekip të unitetit siç ka qenë edhe në të kaluarën. Kurse Qeveria duhet të jetë shumë më transparente dhe të raportoj para Kuvendit dhe të mos hyj më në obligime pa marrë një aprovim paraprak nga ana e Kuvendit", ka thënë Krasniqi.

Që nga 25 gushti, opozita është mbledhur në një front unik për të kundërshtuar marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Kurse tani, pas vendimit të Kushtetueses ku konstatohet se parimet e marrëveshjes për Asociacionin nuk ishin në tërësi në harmoni me Kushtetutën, opozita e ka shtuar edhe një kërkesë; - atë për dorëheqjen e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Në anën tjetër, kryeministri Isa Mustafa dhe qeveria që ai drejton kanë konstatuar se aktgjykimi nuk e pamundëson themelimin e Asociacionit, duke u zotuar se do të respektojnë vendimet e Kushtetueses në lidhje me parimet e marrëveshjes.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG