Ndërlidhjet

Qeveria injoron ligjet e propozuara nga opozita


Organizatat e ndryshme joqeveritare dhe deputetët e opozitës ankohen se nuk përfillen nga ana e shumicës parlamentare propozimet e ndryshme ligjore për zgjidhjen e problemeve të caktuara me të cilat ballafaqohen kategori të ndryshme të shoqërisë.

Gjatë ditës së hënë, grupi parlamentar i Lidhjes Social-Demokrate ka propozuar miratimin e një ligji përmes të cilit pritet të zgjidhet statusi i rreth 4 mijë punëtorëve nga firmat e falimentuara.

Madje edhe Liljana Georgievska nga shoqata e punëtorëve nga firmat e falimentuara “Unit”, thotë se tanimë disa herë është refuzuar kërkesa e shoqatës që përfaqëson që një herë e përgjithmonë të zgjidhet statusi i kësaj kategorie të shoqërisë, që siç thotë, ishin viktimë e privatizimit të pasuksesshëm të kompanive shtetërore nga ish regjimi.

“Për herë të pestë me radhë jemi duke propozuar Ligjin për punëtorët e firmave të falimentuara, dhe shpresoj se kësaj radhe do të punojë ndërgjegjja e deputetëve dhe ata kësaj radhe do t`i lënë anash interesat partiake dhe përfundimisht do të angazhohen të zgjidhet statusi i kësaj kategorie të punëtorëve të cilët kanë punuar në firma të cilat tani kanë falimentuar” është shprehur për Radion Evropa e Lirë, Liljana Georgievska nga Shoqata e Punëtorëve.

Pas kthimit në parlament, opozita maqedonase, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, ka popozuar një varg ligjesh, por të gjitha u hodhën poshtë nga shumica parlamentare, ndërkohë që është zhvilluar debat i ashpër veçanërisht për mospërkrahjen e ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me pezullimin e testimit të jashtëm si dhe ligji që definon rrogën minimale.

Ndërkaq analistët politik, thonë se kthimi i opozitës maqedonase në parlament nga një shtatori i këtij viti është një hap i rëndësishëm për rikthimin e dialogut politik, por Maqedonia si shtet mbetet akoma shumë larg të prodhuarit të debatit cilësor në kuadër të institucionit ligjdhënës.

“Në Maqedoni ka një ambient të komunikimit politik, por kjo është imponuar nga faktori ndërkombëtar. Por, deri më tani praktika ka dëshmuar se të gjitha propozimet e opozitës janë refuzuar nga shumica parlamentare në të gjitha mënyrat e mundshme. Pra një gjë është shumë e qartë se me refuzimin e të gjitha propozimeve që vinë nga opozita vështirësohet dhe jetësimi i marrëveshjes politike e cila u arrit në qershor dhe korrik në Përzhino", thekson Bashkim Selmani.

Ndryshe, edhe hulumtimet e Institutit për Demokraci, i cili ka monitoruar cilësinë e debatit të Parlamentit të Maqedonisë, kanë nxjerr në pah se në këtë institucion ligjdhënës nuk ka debat përmbajtësorë, ndërkohë që shumica e ligjeve të cilat i propozon qeveria, miratohen pa asnjë debat.

XS
SM
MD
LG