Ndërlidhjet

Qeveria dhe opozita me prioritete të kundërta për vitin 2016


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Shumë prioritete parashihen në agjendën e Qeverisë së Kosovës për vitin 2016.

Por, njëkohësisht, paralajmërohet edhe një front i ri i opozitës së bashkuar për ta rrëzuar këtë qeveri, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme gjatë muajve të ardhshëm.

Sido që të jetë, për Qeverinë, prioriteti kryesor, theksohet të jetë zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, për krijimin e një ambienti joshës për investitorët e huaj.

Kryeministri Isa Mustafa ka veçuar dy nga shumë prioritetet e qeverisjes së tij në vitin 2016.

“Do t’i kemi dy si prioritete kryesore. Do të përqendrohemi maksimalisht në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e punësimit, dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakusht që ne ta kemi besimin më të madh të ardhjes së investimeve të huaja në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Krahas ekonomisë dhe rendit ligjor, kryeministri Mustafa është zotuar që në këtë periudhë të qeverisjes, Kosova t’i formojë Forcat e Armatosura, si dhe të marrë vendimin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.

Do të punojmë fuqishëm në shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura dhe ky mbetet prioritet yni. Ne, po ashtu, besojmë se Bashkimi Evropian në vitin 2016 do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës që ata të lëvizin të lirë, pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Mustafa.

Por, zotimeve të Qeverisë dhe kryeministrit Isa Mustafa aktualisht po u bëhet një rezistencë e fuqishme politike nga tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Për opozitën, prioriteti numër një është rrëzimi i kësaj Qeverie dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.

Ky pozicion i opozitës mbështetet edhe tek aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, ku thuhet se disa parime të saj nuk janë tërësisht në harmoni me Kushtetutën.

Andaj, kjo gjendje e re, sipas kryetarit të partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, nuk lë tjetër opsion veç dorëheqjes së Qeverisë aktuale.

Ka një konstatim të Gjykatës Kushtetuese që ia largon gjithë kredibilitetin politik e juridik kësaj Qeverie që të vazhdojë më tutje. Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve dhe unë ju siguroj që kjo do të ndodhë. Të gjithë së bashku duhet të kërkojmë respektimin e vendimit të Gjykatës”, ka thënë Limaj.

Nëse nuk ka dorëheqje të Qeverisë dhe vazhdohet me insistimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Driton Çaushi, gjendja mund të eskalojë.

“Ne besojmë se çdo përpjekje për të vazhduar me procedurat që vijnë pas marrëveshjeve, që janë dekreti dhe statuti në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk ka asnjë kuptim dhe përkundrazi do të ishte një provokim, i cili do të merrte një përgjigje shumë të fuqishme të opozitës, pra do të ishte një thirrje për eskalim të situatës", ka deklaruar Çaushi.

Se a do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare apo jo, kjo mbetet të shihet nga zhvillimet e muajve në vijim.

Por, Kosova ka një proces zgjedhor për një prej institucioneve më të rëndësishme gjatë vitit 2016.

Bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit, ku procesi zhvillohet në Kuvendin e Kosovës.

Kandidati i vetëm, mbetet përfaqësuesi i koalicionit qeverisës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, aktualisht ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër i Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryeministër i Kosovës, ka thënë se partitë e koalicionit do ta mbështesin Thaçin dhe ai do të zgjidhet president për mandatin e ardhshëm 5-vjeçar.

“Gjithsesi zotohem që marrëveshja do të zbatohet tërësisht dhe nuk ka asnjë arsye që zoti Thaçi të mos jetë president, sepse ne do t’ia sigurojmë votat si LDK, ashtu siç e kemi përcaktuar me marrëveshjen e koalicionit”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa viti 2015 është vlerësuar tashmë si mjaft kritik për Kosovën dhe funksionimin e institucioneve, edhe viti 2016 parashikohet të mos jetë aspak më i relaksuar për kah zhvillimet politike.

Kryetar i i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar jo vetëm partitë dhe institucionet, por edhe mediat që të jenë gati për një vit aspak të lehtë.

“Do të jetë një vit jo i lehtë. Unë besoj do të jetë një nga vitet më të rënda që nga paslufta në Kosovë. Duhet të përgatitemi, si ne politikanët, po ashtu edhe ju mediat”, ka theksuar Veseli.

Analistët politikë, kishin vlerësuar në prononcimet e tyre për Radion Evropa e Lirë se kriza politike e vitit 2015, ishte tejet artificiale dhe se ajo nuk kishte si qëllim final anulimin e marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe dhe as demarkacionin me Malin e Zi, sa kishte për qëllim krijimin e një gjendje amullie në kohën kur Gjykata Speciale mund të nisë me procedimin e rasteve të para të rasteve të dyshuara për krime lufte.

Sipas analistit Imer Mushkolaj, krijimi i krizave, mund t’u shkojë në interes disa individëve të fuqishëm politikë, si në pushtet ashtu edhe në opozitë.

"Nëpërmjet krizës politike, individë të caktuar brenda të dy krahëve politikë po synojnë që të provokojnë situatë të atillë që Gjykata Speciale assesi të mos mund të themelohet dhe më tej të funksionalizohet".

"Mbase edhe ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të ndërrojnë pastaj edhe konsolacionet politike të koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në mënyrë që më pastaj të krijojnë një pozicion të fortë karshi Gjykatës Speciale", ka vlerësuar Mushkolaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Zhvillimet e vazhdueshme politike që cenojnë funksionimin e institucioneve qendrore, vazhdojnë të lënë në plan të dytë disa prioritete të funksionalizimit të shtetit ligjor, siç janë pavarësimi i Gjyqësorit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, luftimi i ekstremizmit fetar dhe terrorizmit, parandalimi dhe ndjekja e luftëtarëve nga Kosova që iu bashkohen radhëve të organizatave të shpallura si terroriste e deri te reformat e nevojshme ligjore e administrative.

XS
SM
MD
LG