Ndërlidhjet

logo-print

Kosova, tash e sa vjet është shndërruar në treg konsumues, duke importuar mbi 80 për qind të produkteve të ndryshme. Gjatë vitit që po lëmë pas, prodhimet vendore “Made in Kosova”, nuk arrtën të zëvendësojnë importin.

Kosova edhe këtë vit u përball me deficit të lartë tregtar.

Sipas të dhënave zyrtare, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët dhe atë rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e mbi 1 miliard euro.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë treguar se eksporti mbulon importin vetëm me 11.2 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin tetor 2015 kishte vlerën 27,1 milionë euro, ndërsa importi 242,0 milionë euro.

Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e biznesit, vazhdimisht kishin theksuar se këto të dhëna janë mjaft shqetësuese për ekonominë dhe kishin kërkuar që të merren masa konkrete në ngritjen e eksporteve dhe uljen e importit.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e zbatimit të drejtë të politikave ekonomike siç është politika fiskle, kreditore dhe ajo tregtare, kanë ndikuar që Kosova të ketë këtë bilanc tregtar.

“Kosova nuk ka prodhim dhe me këtë politikë zhvillimore është shndërruar në treg konsumues dhe ne konsumojmë mbi 80 për qind të të mirave materiale që i importojmë nga vendet tjera. Nëse nuk ka prodhim brenda ekonomisë së një vendi, atëherë nuk kemi çka flasim për zhvillim ekonomik”, thotë Limani.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu kishte deklaruar se për të zbutur këtë deficit të lartë tregtar, duhet të mbështeten dhe të mbrohen prodhuesit vendorë.

“Duhet të kuptohet një realitet i hidhur i krijuar në Kosovë, një realitet ku mungon një dozë e nacionalizimit ekonomik, një nacionalizëm që nuk është negativ, por përkundrazi e ka vlerën dhe efektin e vetë", tha Gërxhaliu.

"Këtë nacionalizëm ekonomik e kanë praktikuar edhe vende të ndryshme të rajonit. Në këtë drejtim nëse prodhimet kosovare nuk e gjejnë hapësirën për të depërtuar në tregun vendor është shumë vështirë që ato të zënë vend në shtetet e treta”, pati thënë Gërxhaliu.

Produktet ushqimore, duke filluar nga pemët, perimet dhe ato të konservuara, janë produktet të cilat hyjnë në kategorinë e mallrave më të importuara në Kosovë.

Serbia gjatë vitit 2015 ka qenë importuesi kryesor në Kosovë. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, afër 14 për qind e produkteve që hyjnë në Kosovë, vijnë nga ky shtet.

Përveç Serbisë, importues mjaft i madh i produkteve në Kosovë është edhe Kina, pasuar nga Turqia, Italia, si dhe Maqedonia.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG