Ndërlidhjet

Kritika Rusisë për vrasje të civilëve


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Rusinë për bombardime pa dallim në Siri, duke vrarë civilë dhe duke rrezikuar bisedimet për paqe.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, ka cituar raporte, siç ka thënë ai, jashtëzakonisht shqetësuese nga grupet joqeveritare, të cilat thonë se sulmet ajrore të Rusisë kanë vrarë qindra civilë, përfshirë punëtorë të reagimit të shpejtë, si dhe kanë goditur objektet mjekësore, shkollat dhe tregjet.

“Natyrisht, jemi thellësisht, thellësisht të shqetësuar në lidhje me raportet për viktima civile. U kemi bërë vazhdimisht thirrje të gjitha palëve në konflikt që të ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit të civilëve”, ka thënë Toner.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka ngritur shqetësimet e tij për sulmet pa dallim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka shtuar Toner.

Sipas tij, Kerry po ashtu i është ankuar Larvovit për një sulm ajror, javën e kaluar, i cili ka vrarë Zahran Alloushin, lider i Ushtrisë së Islamit, njërit prej grupeve më të fuqishme rebele në Siri, i cili ka mbështetur bisedimet për paqe.

“Sulmet mbi ata që mund të jenë pjesë e këtij procesi politik, si dhe sulmet që vrasin civilë të pafajshëm, minojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike”, ka thënë Toner.

“Shpresojmë se kjo nuk dërgon një mesazh dekurajues për anëtarët e tjerë të opozitës siriane, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në këtë proces”, ka shtuar ai.

Negociatat midis përfaqësuesve të qeverisë së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, dhe opozitës priten muajin e ardhshëm, edhe pse pengesat mbeten.

Arabia Saudite po ashtu ka shprehur zemërim për vrasjen e Alloushit.

“Nuk e di se çfarë mendojnë rusët”, ka thënë ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir.Nëse duam të arrijmë zgjidhje paqësore në Siri, duhet të merremi me të gjitha grupet siriane, duart e të cilave nuk janë të zhytura në terrorizëm”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Rusia dhe Siria thonë se Ushtria e Islamit është një organizatë terroriste.

Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri qysh më 30 shtator. Toner ka thënë se përveç qindra viktimave, sulmet ruse kanë detyruar mbi 130,000 sirianë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Moska nuk ka komentuar vrasjen e Alloushit, por i ka hedhur poshtë me zemërim raportet nga organizatat Amnesty International, Human Rights Watch dhe grupet e të drejtave të Sirisë se fushata ajrore ruse godet edhe civilë.

Moska këmbëngul se sulmet e saj godasin “terroristët” dhe se ajo kujdeset për mbrojtjen e civilëve.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore thonë se sulmet ruse kanë goditur më shumë objektiva të rebelëve sirianë dhe jo të Shtetit Islamik, siç pretendon Moska. (v.tela)

XS
SM
MD
LG