Ndërlidhjet

Deklaratat e vitit 2015


Sulme terroriste kanë goditur Parisin më 13 nëntor... 130 veta janë vrarë... Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë...
Sulme terroriste kanë goditur Parisin më 13 nëntor... 130 veta janë vrarë... Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë...

JANAR

Presidenti i Francës, Francois Hollande, duke folur më 7 janar para gazetarëve, pranë vendit ku ka ndodhur sulmi vdekjeprurës kundër zyrave të gazetës satirike Charlie Hebdo në Paris:

“Një akt jashtëzakonisht barbar është kryer këtu në Paris kundër një reviste, një botimi që është mishërim i lirisë”.

Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, duke folur më 29 janar, në konferencën e tij vjetore në Minsk, ka thënë se Bjellorusia nuk është pjesë e “botës së Rusisë”.

“Ata që besojnë se toka bjelloruse është pjesë e botës së Rusisë, le ta harrojnë. Bjellorusia është shtet sovran dhe i pavarur”.

Deklaratat 2015
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:46 0:00

SHKURT

Boris Nemtsov, politikan i njohur i opozitës ruse dhe ish-zëvendëskryeministër, duke folur më 27 shkurt në një intervistë për radion Zëri i Moskës, vetëm disa orë përpara se është qëlluar për vdekje në Moskë:

“Mendoj se janë të rëndësishme reformat politike. Është e nevojshme të mbahen zgjedhje të ndershme me pjesëmarrjen e opozitës, të heqim qafe censurën, të ndalojmë këtë propagandë të mjerë, që ka shtrembëruar dhe ngrënë mendjet e popullit rus”.

MARS

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, duke folur së bashku me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në një ceremoni që ka shënuar fillimin e ndërtimit të Tubacionit Trans-Anatolian, në qytetin Kars:

“Ky është një projekt për të furnizuar Turqinë dhe Evropën. Gazi nga Deti Shah, gazi azerbajxhanas është burim i ri për Evropën”.

PRILL

Papa Françeku ka përkujtuar 100-vjetorin e masakrimit të 1.5 milion armenëve.

“Në shekullin e kaluar, familja jonë njerëzore ka përjetuar tri tragjedi masive dhe të papara. E para, që gjerësisht konsiderohet si ‘gjenocidi i parë i shekullit 20’, ka goditur popullin tuaj armen”.

Presidenti i rizgjedhur i Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev, duke folur në Astana, pas fitores së zgjedhjeve me 97.7 përqind të votave:

“I kemi treguar gjithë botës se kultura politike e Kazakistanit do të thotë unitet, përgjegjësi”.

MAJ

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka vizituar Moskën dhe ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Aneksimi kriminal i Krimesë, i cili është bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, si dhe veprimi ushtarak në lindje të Ukrainës kanë shkaktuar dëme të rënda në bashkëpunimin tonë, sepse ne i shohim këto si kërcënime për themelet e rendit paqësor të Evropës”.

QERSHOR

Papa Françesku ka qëndruar në Bosnje dhe Hercegovinë më 6 qershor.

“Sarajeva është një qytet simbolik. Për shekuj, ka qenë vend i bashkëjetesës mes popujve dhe feve, saqë është quajtur ‘Jerusalemi i Perëndimit’. Në të kaluarën e vonë është bërë simbol i shkatërrimit nga lufta. Tani, një proces i bukur pajtimi është në zhvillim”.

KORRIK

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka njoftuar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kubën.

“Nuk mund të mbani peng të ardhmen e Kubës për shkak të asaj që ka ndodhur në të kaluarën”.

GUSHT

Ish-kandidati presidencial i Bjellorusisë, Mikalay Statkevich, është liruar si pjesë e një amnistie nga presidenti bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

“Vërtet nuk kam pritur të lirohem përpara zgjedhjeve presidenciale të 11 tetorit”.

SHTATOR

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka njoftuar për sulmet ajrore të Rusisë në Siri.

“Aksionet tona do të zbatohen brenda një kornize rreptësisht të qartë. Fillimisht, do të mbështesim ushtrinë siriane vetëm në luftën e saj legjitime kundër grupeve terroriste. Së dyti, mbështetja jonë do të jetë nga ajri dhe nuk do të jetë pjesë e operacioneve tokësore. Së treti, kjo mbështetje do të jetë e kufizuar në kohë”.

TETOR

Në Stokholm është shpallur Çmimi Nobel për Letërsi.

“Çmimi Nobel për Letërsi 2015 i ndahet shkrimtares bjelloruse, Svyatlana Aleksiyevich, për shkrimet e saj – një monument i vuajtjes dhe guximit në kohën tonë”, ka thënë Sara Danius, sekretare e përhershme e Akadamisë Suedeze.

NËNTOR

Presidenti i Francës, Francois Hollande, duke folur pas sulmeve terroriste në Paris, të cilat kanë lënë 130 veta të vrarë:

“Bashkëqytetarë, ajo çfarë ka ndodhur në Paris është akt i luftës. Të përballur me luftë, vendi duhet të ndërmarrë masat e duhura”.

DHJETOR

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar që myslimanëve t’iu ndalohet hyrja në SHBA.

“Donald Trump kërkon që myslimanëve t’iu ndalohet plotësisht hyrja në Shtetet e Bashkuara derisa përfaqësuesit e vendit tonë ta kuptojnë se çfarë dreqin po ndodh. Nuk kemi zgjedhje tjetër”.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG