Ndërlidhjet

Shqipëri: Reforma në drejtësi, sfida e vitit 2016


Tirana

Tirana

Reforma në drejtësi është çështja themelore e bartur nga viti 2015 në Shqipëri. Ndërsa ndryshimet kushtetuese për Ligjin e dekriminalizimit, u kaluan në seancat e fundit parlamentare me konsensus të plotë, politika shqiptare nuk e gjeti gjuhën për hartimin e një drafti të përbashkët për këtë reformë.

Ambasadori amerikan, ambasadorja e BE-së dhe ambasadorë të vendeve të tjera e kanë bërë të qartë se reforma në drejtësi është e domosdoshme dhe prioritet fondamental për Shqipërinë e anëtarësimin e saj në BE.

Në ditët e fundit të vitit 2015, ambasadori amerikan Donald Lu, iu drejtua prokurorëve e gjyqtarëve:

”Ata që janë të korruptuar, e që e kanë shkelur ligjin, janë ata që nuk e duan reformën. Ata duhet të largohen, e për shkelësit e ligjit, do të ketë ndëshkime. Besoj se nga pranvera do të kemi lajmin e gëzuar për miratimin e reformës”.

Por, duket se nuk do të jetë provë e lehtë miratimi i një reforme gjithëpërfshirëse. Në ditët e fundit të vitit 2015, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, reagoi ndaj propozimeve të ekspertëve për reformën, duke thënë se prokuroria ka mjete ligjore për vetëpastrim nga elementët e korruptuar.

Edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ndaj rekomandimeve të Komisionit të Venecias, i cili sugjeron mospraninë e ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, KLD.

Gjithsesi, ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat kërkojnë 84 vota, dhe konsensusin për to, do të jenë prova e “së vërtetës” për koalicionin PS-LSI, dhe për marrëdhëniet ndërmjet kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Shumë analistë mendojnë se do të jetë pikërisht reforma në drejtësi një shkak që do të shpjerë në zgjedhje të parakohshme, dhe se LSI-ja, forca e tretë politike, mund të jetë përsëri ajo që do të ndërtojë koalicionin e ri fitues.

Për analistin Artan Hoxha, LSI-ja mund të jetë balancuesi për funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Muajt e fundit të 2015-s, LSI-ja ka një ‘zgjim’, duke mbajtur një qëndrim, i cili duhet të vazhdojë, pasi Rilindja e PS-së po e rrezikon demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Opozita e bëri punën e saj duke ftuar njerëzit në protesta”, tha Hoxha.

Ndërkohë, opozita nisi strategjinë e protestave që në dhjetor të viti 2015. Lideri i saj, Lulzim Basha, bëri thirrje për protesta të tjera në rrugë, deri në mosbindje civile çka, sipas tij, do të shpjerë në rrëzimin e Qeverisë.

Partia Demokratike kërkon një qeveri teknike që të shpjerë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Për gazetaren Mimoza Kociu,opozita është një alternativë jo bindëse për qytetarët, pasi edhe në vitin 2016, parashikohet që loja politike të sjellë aleanca përtej “gardhit” politik, çka në fund, nuk rezulton në të mirë të qytetarëve”.

Shqipëria po e nis vitin 2016 me një buxhet ku sërish nuk ka zëra për investime publike, me një prirje në rritje të njerëzve që duan të largohen përmes emigracionit, me premtimet e Qeverisë për më shumë vende pune, por pa ndryshime në regjimin e taksave, dhe me propozimin e opozitës për protesta; kjo e fundit nuk saktëson se çfarë konkretisht iu ofron si zgjidhje qytetarëve që duan ndryshim.

Ndërkohë, negociatat dhe raportet e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë mekanizëm, do të vazhdojnë edhe gjatë 2016, por pritet për anëtarësim nuk parashikohen edhe nga më optimistët - kjo jo vetëm si pasojë e mosplotësimit të 5 kushteve të vëna nga Bashkimi Evropian(mes të cilave edhe reforma në drejtësi),por edhe si pasojë e politikave të saj shtrënguese për zgjerim.

XS
SM
MD
LG